Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar edhe një herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kërkesën ai e ka bërë në një takim me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, në takimin që Kurti pati sot me Varhelyin në Bruksel është biseduar mbi marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe BE-së në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks te angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi që Kosova ka bërë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për reforma dhe përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takimin që i paraprinë mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ishin edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.
Kurti po ashtu është takuar edhe me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim, sipas Qeverisë, Kurti rikonfirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën evropiane. U diskutua mbi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e tij.