Arbëri

Kurti e Sveçla për ligjin e pagave: Drejtësi dhe barazi për të gjithë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë thënë se ligji i pagave dhe ai për zyrtarët publikë kanë qenë të nevojshëm për reformë të thellë në administratën publike, që sipas tyre, tash do të ketë drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Kurti e Sveçla prezantuan të mërkurën ligjet që tani kanë hyrë në fazën e konsultimeve publike.

Kreu i Qeverisë theksoi se ka pasur shumë probleme me këto ligje, për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Ashtu siç kemi thënë, hartimi i këtyre dy projektligjeve nuk ka qenë proces i lehtë dhe i shpejtë. 40% e zyrtarëve nuk dihej se ku ishin. Ka pasur 170 lloje të shtesave dhe kompensimit. Mungesë të kriterëve se si janë marrë shtesat. Ka pasur zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë. Zyrtarët tanë duhet të kenë trajtim të barabartë. Djem dhe vajzat tona duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e agjencive e institucioneve duke konkurruar në konkurse ku do trajtohen në mënyrë të barabartë me gjithë zyrtarët. Këtë po e synojmë”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkohë, Sveçla ka thënë se tani Kosova do ta ketë për herë të parë një projektligj që rregullon pagat në sektorin publik.

“Qeveria dhe MPB-ja janë angazhuar me synime të qarta: drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe transparencë për të gjithë”, ka thënë Sveçla.

Projektligjet për paga dhe ai për zyrtarët publikë do të jenë nga e enjtja në konsulta publike.


Sveçla tregon për dëmtimin e kabllos me fibër optike në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka treguar se kablloja me fibër optike që është vendosur në veri të Kosovës, ka qenë shënjestër e sulmeve nga grupet e caktuara dhe është dëmtuar.

Sveçla në konferencë për media, ka thënë se kjo është vepër e rëndë penal.

“Jemi dëshmitarë që gjendja e sigurisë në veri është plotësisht e ndryshme nga ajo çfarë e kemi trashëguar. Ndër ndryshimet ka qenë vendosja e sinjalit 044 dhe të IPKO-s, por edhe komunikimi me institucione të ndryshme, përmes shtrirjes së kabllos optike, që realisht ka qenë target sulmi nga kriminelët atje. Është infrastrukturë kritike, çfarëdo lloj dëmtimi i saj është vepër e rëndë penale, e me të cilat institucionet tona po merren në vazhdimësi. Kur kemi informata më konkrete, se kush po e dëmton kabllon, do ta sjellim atë para drejtësisë e do të kërkojmë dënime të ashpra”, tha Sveçla.


Kurti tregon tri temat e diskutuara në takimin me Ramën

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë të martën diskutuan për tri tema që ai i ka konsideruar të rëndësishme.

“Takimi i djeshëm ishte drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë. Ishte takim shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv. I nevojshëm për shkak të temave që kemi diskutuar. E para është siguria kibernetike. Ishte tema e parë. Isha i interesuar të marr vesh sa më shumë për përvojën e tyre për sulmet që ishin shumë të dëmshme e kriminale. Sot themeluam agjencinë për sigurinë kibernetike”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.

Kurti thotë se tema e dytë ishte sfida e energjisë “në javët dhe muajt në vijim në kuptim të furnizimit të qëndrueshëm dhe çmimeve të përballueshme. Diskutuam bashkëpunimin KEK-KESH”.

“E njoftova Ramën se jemi të parët që shpërblejmë ata që kursejnë rrymën”, shtoi ai.

“Tema e tretë ishte përgatitja në dritën e rifillimit të Procesit të Berlinit. Kësaj radhe me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz. Ka shumë punë të ekipeve tona dhe bashkëpunim paraprak drejt mbledhjes së radhës së Procesit të Berlinit”, përfundoi Kurti.