Dinamikë tjetër të punës premtuan dy kryeministrat, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Me nënshkrimin e 13 marrëveshjeve, Rama e Kurti thanë se kanë dëshmuar edhe një herë që dallimet që kanë në çështjet e tjera nuk lejojnë të ndikojnë në bashkëpunimin mes dy shteteve. Sikurse Rama, ashtu edhe Kurti thanë se do të kujdesen në zbatimin e marrëveshjeve në praktikë, derisa nuk i mohuan dështimet në të kaluarën në marrëveshjet e mëparshme.
Të ulur ballë për ballë me njërin-tjetrin e me maska me motive tradicionale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ai i Kosovës, Albin Kurti, i prinë mbledhjes së përbashkët mes dy shteteve.
Ministrat nga të dy kabinetet qeveritare i diskutuan për herë të fundit, para nënshkrimit, marrëveshjet mes tyre.
Pas mbledhjes, anëtarët e të dy kabineteve qeveritare nënshkruan një nga një 13 marrëveshjet e dakorduara, derisa pas saj krerët e dy qeverive shpalosen detajet e tyre.
Mbledhja, e shtata me radhë mes dy shteteve, nga Rama e Kurti, u tha se është dëshmi që ndasitë që kanë sa u përket iniciativave rajonale nuk ndikojnë në bashkëpunimin mes tyre.
Marrëdhëniet mes dy shteteve e ndasitë mes tyre, Rama i krahasoi me shqiponjën me flamur.
“Më lejoni që i referohem shqiponjës me dy koka është një trup i vetëm dhe njëra kokë sheh nga njëra anë e tjetra nga tjetra, por trupi është drejtë”, ka thënë Rama.
“Është e mundur që Kosova dhe Shqipëria të diskutojnë të planifikojnë të dakordohen edhe pa e menduar edhe pa e përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Ndonëse pranuan se ecuria e zbatimit të marrëveshjeve nuk ishte në nivelin e duhur deri më tani, që të dy kryeministrat, deklaruan se tani e tutje angazhimi do të jetë ndryshe.
“Me Albinin dhe me qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe faktikisht jemi fokusuar, por të shikoni marrëveshjet e sotme te një numër marrëveshjesh, që jo vetëm janë konkrete në fjalë, por janë konkrete në punën që është bërë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.
“Janë evidente që kanë pasur ngecje, por të gjitha ngecjet dhe vështirësitë e sa na e shtojnë vullnetin për të punuar”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
Të pyetur për qëndrimin e tyre për bashkimin kombëtar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ai i Kosovës, Albin Kurti, thanë se një gjë e tillë do të ndodhë, por se për një çështjeje të tillë nuk mund t’i vendoset data se kur.
Në mesin e 13 marrëveshjeve të dakorduara mes Kosovës dhe Shqipërisë është edhe ajo për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, për lehtësimin e procedurave për marrjen e leje-qëndrimit të përkohshëm e ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Shishtavec-Krushevë.