Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqen në botë, derisa ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është vazhdimësi e kontributit të saj për Gazën.
Kurti për herë të parë ka folur për bordin që kur Kosova nënshkroi pjesëmarrjen. Ai ka thënë se Kosova nisi kontributin që me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese – referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë në Doha nga SHBA-ja për të diskutuar mbi këtë Forcë.
“Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha, në Katar, nga Gjeneral-Lejtënant, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Pra, ne kemi shprehur si Republikë e Kosovës, gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në këtë Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare. FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm. Meqenëse do të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ne kemi qenë të interesuar që natyrisht të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë ai.
SHBA-ja përmes Bordit të Paqes synon zgjidhjen e konflikteve globale.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është forcë paqeruajtëse shumëkombëshe me mandat të Kombeve të Bashkuara, që parashihet të formohet sipas planit 20-pikësh të presidentit amerikan për paqe në Gazë.