Kryeministri Albin Kurti në vizitën te Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se festa e Fitër Bajramit është kujtesë për ndihmat që njerëzit duhet t’u japin atyre që kanë më pak e që ndodhen në kushte më të vështira.
“Pas muajit të shenjtë të Ramazanit erdhi Fitër Bajrami. Urime e përhajr Bajrami i Madh të gjithë besimtarëve, të gjithë shqiptarëve, një festë e gëzuar, e cila njëkohësisht na i përkujton vlerat e solidaritetit, të sakrificës, të ndihmës që duhet të japim për ata që kanë më pak, që ndodhen në kushte më të vështira. Si çdo vit, edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selinë e tyre në Prishtinë, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual, edhe historik”, ka thënë Kurti.
Kurti ka vlerësuar edhe kontributin e myftiut Naim Tërnava për rezistencën kombëtare dhe hoxhallarët që kanë rënë dëshmorë në luftën çlirimtare.
“Sivjet janë bërë 30 vjet prej se unë njihem personalisht me myftiun Naim Tërnava dhe unë asnjëherë nuk e harroj kontributin e tij si udhëheqës i Medresesë ‘Alauddin’, ku mbaheshin atëbotë aktivitetet e shumta shoqërore dhe kombëtare në kuadër të rezistencës sonë. Gjithashtu, sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imamë, shehlerë, që ranë dëshmorë në luftën çlirimtare. E falënderoj myftiun Tërnava për bashkëpunimin që kemi me programet e ndryshme për paqe sociale, për mirëqenie qytetare, me shoqatën ‘Bereqeti’ dhe jo vetëm, dhe njëkohësisht shpreh zotimin tonë që do të bashkëpunojmë gjithnjë më ngushtë e më shumë edhe në të ardhmen. Edhe një herë, urime e gëzuar Fitër Bajrami”, ka shtuar Kurti.
Liderët urojnë për Fitër Bajram
-
Kurti e Haxhiu vizitojnë Tërnavën për Bajram: Edhe sakrifica e flijimi janë festë
-
Liderët me thirrje për reflektim e solidaritet në festën e Kurban Bajramit
-
Kurti: Kurban Bajrami është ftesë për secilin që të angazhohet për barazi
-
Liderët politikë urojnë Fitër Bajramin, duke përmendur sakrificën e solidaritetin
-
Kurti në BIK: Nderojmë 37 dëshmorët që vijnë nga imamët e Kosovës