Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurteshi: Martesa është glorifikuar – Breznica: Martesa s’është veç për riprodhim

Sociologia Bleona Kurteshi deklaroi se divorci nuk është fenomen i shoqërisë kosovare dhe si i tillë nuk duhet të trajtohet si problem, në rastet kur ndarja është e pashmangshme.

Ajo deklaroi në “60 Minuta” të KTV-së të enjten, se institucioni i martesës është glorifikuar te shoqëria kosovare, ndërsa divorci po konsiderohet si akt i dëmshëm.

“Divorci nuk është fenomen i shoqërisë kosovare. Problem duhet të konsiderohet martesa jofunksionale. Ne kemi një fenomen që nuk e kemi trajtuar shumë, është ai i hatrit. E dëgjojmë shpesh që gratë durojnë dhunën për shkak të fëmijëve, për shkak të familjes së saj, edhe për shkak të rrethit e stigmatizimit. I durojnë sepse stigma është shumë e madhe. Pa pikë faji, ato detyrohen të mos divorcohen. Ka edhe gra që nuk guxojnë të divorcohen. Ka pasur raste të vrasjes së grave edhe pas divorcit”, deklaroi Kurteshi.

Sipas saj, në një martesë të palumtur, ndarja është zgjidhja e vetme, ndërsa tha se edhe fëmijët do të përjetonin më ndryshe sikur prindërit të ndaheshin.

“Është më mirë për një fëmijë që prindërit t’i divorcohen, sesa të rritet në një ambient toksik, që prindërit nuk kanë marrëdhënie të mirë. Mungon një vetëdijesim, kjo mendohet se mund të ndikojë keq në arritjet e fëmijës. Gratë tek ne shumë pak trashëgojnë pronë. Nëse janë martuar diku, nuk marrin pronë te shtëpia e babait. Njerëzit nuk i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë kur futen në martesë. Ajo është strukturë me rregulla. Kjo është një formë e organizimit. Martesa është formë kontrate, kur duhet të prishet kur të dyja palët nuk po përfitojnë nga ajo”, deklaroi Kurteshi.

Edhe OpEd Dhuna në familje dhe trajtimi i saj

E Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se ndarjet ndodhin kudo, e ndër shkaqet që çon në ndarje është dhuna në familje. Ajo tha se nga janari i këtij viti deri në qershor, 1.232 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës.

“Këto nuk janë shifra reale, ne besojmë se janë më shumë. Vjet i kemi pasur mbi 2 mijë raste, nga pandemia është rritur raportimi i dhunës në familje. Gratë janë më të vetëdijshme për të drejtat e tyre, në vitet e fundit. Nuk është e drejtë jetesa në një ambient të frikshëm e të dhunshëm, e as në një familje që ka fëmijë e që pretendon zhvillimin. Qytetarët nuk po e shohin si zgjidhje më kanunin, por po e shohin se institucionet mund të zgjidhin këtë. Çiftet në Kosovë nuk duan të jetojnë në një martesë të palumtur”, tha ajo.

Breznica shtoi se shoqëria shqiptare është patriarkale, derisa shtoi se gratë janë të paragjykuara në çdo nivel. Sipas saj, është pozitive që në ditët e sotme, martesa nuk po konsiderohet si lidhje për riprodhim.

“Gratë gjykohen gjithandej. Kemi edhe lajme që kur flasin për dhunën , thuhet se fajtore ka qenë gruaja. Këto na rrjedhin nga një shoqëri patriarkale, që e vendosin burrin në piedestal. Ka edhe gra që janë viktima të patriarkalizmit. Padyshim se edhe gratë që jetojnë në një rreth të tillë dhe mundësia që ato të mendojnë më ndryshe është e pamundur në disa raste”, shtoi Breznica.

Përfaqësuesja e RRGK-së shtoi se sipas hulumtimeve, nëse fëmijët jetojnë në një ambient ku ka pasur dhunë, në të ardhmen edhe fëmijët mund të shndërrohen në dhunues.

“Divorcet në shumicën e rasteve ndodhin me pëlqimin e njërit, por me të dyve, zakonisht me pëlqimin e burrit. Burrat duan të kenë pushtet mbi gruan”, tha tutje.

Edhe Dedi: Divorci nuk është fundi i botës as për gratë e Kosovës Arbëri Dedi: Divorci nuk është fundi i botës as për gratë e Kosovës

Për ndarjen me marrëveshje e pa dhunë, sociologia Kurteshi tha se është maturi e një çifti.

“Kjo tregon një maturi që e kanë kuptuar se po ndahen rrugët. Kur rastet e tilla të shpeshtohen, mund të themi që shoqëria jonë ka arritur një stad të zhvillimit. Ne qëndrojmë për barazi sociale, pa marrë parasysh cilës gjini i takojnë. Është shumë normale, por na pengon edhe stigma që i ndjek gratë që e kanë një hije prapa vetes”, tha ajo.