Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i qëndron pas premtimit të tij për të pezulluar secilin zyrtar të institucioneve të Kosovës që ka të ngritur aktakuzë nga prokuroria.
Mirëpo një gjë e tillë nuk është parë ende nga kryeministri pasi ka gati 4 javë që nuk po e zbaton atë ndaj ministrit për Kthim dhe Komunitete, Delibor Jevtiq.
Për këtë, kryeministri, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të mos realizoj premtimin e tij.
Mustafa theksoi se po pret konfirmimin e institucioneve dhe do t’i merr masat e duhura ndaj tij.
“Po presim konfirmim dhe do të merren masat siç janë marrë më herët”, ka thënë Mustafa.
Edhe
Shkarkohet apo dorëhiqet ministri Jevtiq i akuzuar për keqpërdorim të detyrës
Kujtojmë se ministrit për Komunitete dhe Kthim, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, i është ngritur aktakuzë me 15 mars nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nën dyshimin se kreu veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ministri Jevtiq, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, kishte nxjerr vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm të një automjeti zyrtar një kompanie private serbe në Kosovë, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë”.