Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kupina e quan manipulative kërkesën e KPK-së për dekretimin e Isufajt kryeprokuror

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka adresuar një kërkesë presidentes së vendit që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokruroit të shtetit. Megjithatë, Zyra e Presidentes së Kosovës ka konsideruar se KPK-ja po manipulon me të vërtetën e se kjo kërkesë e këshillit nuk i kontribuon misionit të tij.

Këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se kompetencat e KPK-së përfundojnë me propozimin e emrit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.

“Konsiderojmë se edhe KPK-ja duhet ta ketë mision parësor të punës së tij integritetin dhe besueshmërinë qytetare të sistemit prokurorial. Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët. Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetuese dhe ligjore e KPK-së”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Kërkesa e KPK-së, Kupina ka thënë se nuk ka “asnjë bazë normative ligjore”.

Tutje ka sqaruar se presidentja po pret përfundimin e afateve ligjore për marrjen e një vendimi.

Edhe Presidenca për procesin e Kryeprokurorit: Presim nga KPK-ja t’i adresojë shkeljet procedurale Arbëri Presidenca për procesin e Kryeprokurorit: Presim nga KPK-ja t’i adresojë shkeljet procedurale

“Së dyti, Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit”.

Për më tepër, është shprehur Kupina, kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë, ka theksuar ai, është manipulative.

“KPK-ja me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetutese e ka shpallur lëndën ‘të pabazuar’, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mosshterrjes së mjeteve juridike”, ka shtuar Kupina.

Ndërkohë, ka thënë se KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, duke konstatuar se ai vendim “ka vërtetuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim” dhe se “nuk ka gjetur shkelje formale e materiale të procedurës së rekrutimit”.

“Kjo është e pavërtetë, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për paafatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit”.

Kupina ka deklaruar se kërkesa e këshillit është në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e në kundërshtim me Kushtetutën, sepse sipas tij, kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta.

Edhe Haxhiu për propozimin e KPK-së për Isufajn: S’ka bazë kushtetuese e ligjore Arbëri Haxhiu për propozimin e KPK-së për Isufajn: S’ka bazë kushtetuese e ligjore

“Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje. Konsiderojmë se edhe KPK-ja, sikundër edhe secili institucion tjetër i drejtësisë duhet ta ketë mision parësor dhe të vetëm përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore”, ka përfunduar ai.