Drejtori i Bujqësisë në Prishtinë, Plator Gërdovci ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke i përcjellë ngjarjet sa i përket krizës globale për produkte bujqësore.
Ai ka thënë se i gjithë plani që ka qenë për subvencionim mund të ndryshojë pasi prioritet mund t’i jepet prodhimit që është më esencial që në këtë rast është gruri,
Gërdovci ka thëne se janë ndarë 800 mijë euro për të gjitha kulturat bujqësore, ndërkaq për mbjelljen e grurit janë 150 mijë euro.
“Jemi duke u mundur të gjejmë një formë të subvencionimit të bujqësisë në komunën tonë në bashkëpunim edhe me organizata. Ne po planifikojmë të subvencionojmë nga 0 deri në 0.50 të hektarit të gjejmë një formë të subvencionimit që i bie që ajo sasi e grurit të përdoret për konsum familjar. Ideja e zoonimit të tokave të Prishtinës nuk është ide që është bërë tash por ka qenë edhe më herët. Përmes kësaj mendohet të bëhet një databazë digjitale për tokat e kryeqytetit. Ideja është që ta bëjmë një databazë të qasshme të cilën mund ta shfrytëzojmë edhe subvencionimin e kulturave bujqësore”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se kanë planifikuar që tregun ta japin për shfrytëzim për bujqit e komunës së Prishtinës dhe 50 për qind e tregut do të jetë për gratë.
Gërdovci ka thënë se kanë hapur thirrjet për blegtorët dhe bletarët për subvencione, duke shtuar se do të jetë me pagesë direkte.
Ai ka bërë të ditur se kanë pranuar të gjitha aplikacionet për vendosjen e serave, duke shtuar se këtë vit do të jenë 22 sera në zonën e qytetit.