Me vijë të ndërprerë e ka paraqitur kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në një hartë transmetuesi publik britanik, BBC, të martën kur ka raportuar për luftën në Ukrainë.
Për dallim nga të gjithë kufijtë mes shteteve që paraqiten me vijë të plotë, te rasti i Kosovës në kufirin me Serbinë shihet vija e ndërprerë.
“Ku shkoi gjysma e refugjatëve nga Ukraina?” ka qenë pyetja mbi hartën në të cilën BBC-ja ka treguar territoret ku kanë shkuar ukrainasit që kanë ikur nga territori që kur Rusia ka nisur pushtimin. Të dhënat që i ka përdorur BBC-ja në hartë janë të UNHCR-së.
Nuk janë të rralla “lëshimet” që mediat ndërkombëtare bëjnë për hartën e Kosovës edhe pse ato e konsiderojnë shtet. Madje raste të tilla ka pasur edhe në Shqipëri nga mediume që kanë përdorur fotografi ilustruese të mëhershme.
