Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kthehet furnizimi me energji në Mitrovicë dhe Trepçë

Foto: Ilustrim

KEDS-i, përmes një njoftimit për media, bën me dije se ka krijuar një zgjidhje të shpejtë për furnizim me energji elektrike të Mitrovicës dhe Trepçës, pas djegies së djeshme.

Zgjidhja ka të bëjë me riaftësimin e linjës së Vallaqit që gjendet në veri të vendit, për pjesën e furnizimit të qytetit dhe fshatrave përreth.

“Kjo është arritur edhe falë ndihmës dhe mbështetjes së institucioneve te vendit, Policisë e Kosovës për sigurinë e ofruar dhe KOSTT-in. Ekipet e punëtorëve të KEDS kanë arritur të shtrijnë sot gjatë ditës përcuesin në linjën 35 kV që vije nga nënstacioni i Vallacit për drejtim në nënstacionin e Mitrovica 2, ku po bëhet kyçja për të furnizuar një pjesë të madhe të Mitrovicës dhe fshatrave përreth”, thuhet në njoftimin e KEDS-it. “Pos përçuesit, janë vendosur edhe shtylla dhe pajisje të tjera të rrjetit, pasi linja ishte joaktive që nga paslufta”, thuhet më tej.

Sipas njoftimit, “paralel me këtë, KEDS së bashku me KOSST në afat rekord kanë gjetur alternativë shtesë të furnizmit për konsumatorët e apostrofuar më lartë, pasi linja që vije nga veriu nuk ka kapacitete të mjaftueshme”.

“Në këtë rast KEDS-i ka angazhuar numër të madh të punëtorëve si dhe kontraktorëve për të punuar në shtrirjen e përçuesit 35 kV nga nënstacionin i KOSTT-it në Vushtrri në drejtim të Trepçës, sikurse edhe nga Trepça në drejtim të Vushtrrisë, në mënyrë që të përfundojnë punimet sa më shpejtë të jetë e mundur. Punimet në të dy anët janë në përfundim e sipër dhe nëse gjithçka shkon sipas planit pritet që furnizimi me energji elektrike për qytetarë të kthehet në mbrëmje”, njofton KEDS.

Situata e tillë është krijuar pas djegies së djeshme rreth mesditës të trafos së Trepçës, e lidhur me kapacitetet transmetive të KOSTT-it. Dëmi ishte i madh.