Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë. Ka folur për procesin zgjedhor, dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe pozicionin e Qeverisë pa një kryeministër, gjithashtu, për mundësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë.
Kryeziu në një intervistë për portalin Koha.net, ka thënë se mund të priten vështirësi të shumta në procesin zgjedhor, dhe se Presidenti Hashim Thaçi, sipas tij, do të shtyjë pafund konsultimet dhe do të banalizoj çdo aspekt të formimit të qeverisë së re të Kosovës, duke tentuar të bëjë të pakuptimtë shkuarjen në zgjedhje.
Por, sipas tij, s’ka alternativë tjetër përpos rilegjitimimit urgjent të forcave politike dhe atë, siç shprehet Kryeziu, përmes vet shpërbërjes së Kuvendit.
Ai thotë se e vetmja zgjidhje për Kosovën nga ngërçi ku është, janë zgjedhjet me dy platforma. Platforma e parë ku bëhet e qartë për dhe kundër copëtimit të vendit, dhe dy, të jetë platformë për mandatim për qeverisje me vendin, pa asnjë votë rreth idesë së copëtimit të territorit, përkatësisht platformë për bërjen e Kosovës shtet funksional.
Koha.net: Kosova tash është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme por pa reforma të cilat nisën vite më parë. Si pritet të shkoj i gjithë procesi?
Kryeziu: Me shumë vështirësi, sepse asnjë reformë zgjedhore nuk është kryer dhe ne hyjmë në zgjedhje me ligje dhe koncepte të njëjta si para një dekade.
Koha.net: Si e vlerësoni të jetë legjislacioni aktual, dhe a prisni të ketë proces të rregullt zgjedhor?
Kryeziu: Jo. Situata ngelet e elektrizuar dhe gjasat për koalicion të sërishëm të krahut të luftës janë të pakta ashtu që pres që mund të ketë tendenca për parregullsi të mëdha meqë targetohet elektorati i përbashkët i deridjeshëm.
Koha.net: Ramush Haradinaj, i cili nga analistët po konsiderohet ish-kryeministër, meqë tha dorëheqje të parevokueshme nga posti, i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi të propozojë datën e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Parlamentit. Në anën tjetër, të gjitha partitë politike thonë se janë të gatshme për zgjedhje. Realisht, a shihni vullnet politik dhe a mendoni se do të zgjatet koha deri në shkuarjen në zgjedhje?
Kryeziu: Propozimi i ish-kryeministrit Haradinaj ka qenë i pavend në asketin kushtetues, sepse nuk mund të shpërndahet Kuvendi me propozim të tij dhe nga Presidenti. Dihet si shpërndahet Kuvendi: kur ka mocion të suksesshëm të votëbesimit të ekzekutivit dhe kur ai vet shpërbehet, atëherë me dekret aminohet nga Presidenti. Asnjëherë anasjelltas.
Koha.net: Cila do të ishte koha më e mirë për zgjedhje, tash kur kryeministri ka dhënë dorëheqje?
Kryeziu: Vet shpërbërja e Kuvendit, askush nuk ka të drejtë që të vendos për çështje që prekin sovranitetin nacional dhe integritetin territorial të vendit, përpos sovranit - popullit të Kosovës. Zgjidhja për gjendjen ku sot ndodhet Kosova, është që të bëhet një rilegjitimim urgjent i forcave politike për shkak se për dy vite radhazi ka pasur diskutime shterpë për copëtim të Kosovës, jo për bërjen e saj shtet normal.
Kjo është arsyeja qe rilegjitimimi të shkoj në dy binarë: duhet të ketë zgjedhje me dy platforma. Platforma e parë, ku bëhet e qartë për dhe kundër copëtimit të vendit. Le të dalin para sovranit ata që janë pro dhe kundër këtij projekti të shëmtuar sepse është vetëm kompetencë e sovranit të vendosë për çështje të tilla. Fuqishëm besoj që një ide e tillë nuk përkon me vullnetin e Kosovarëve sepse ajo e shkatërron shtetësinë e Kosova te konfirmuar edhe nga vendimi GJND-së
Ky koalicion duhet ta këtë parasysh se ka marrë vota për të qeverisur vendin e jo për të bërë pazare me territore. Kosova ka humbur territor edhe, gjatë demarkacionit me Maqedoninë, e po shkojmë me të njëjtin skenar të humbjes së territorit edhe me Serbinë.
Platforma e dytë duhet të jetë platformë për mandatim për qeverisje me vendin, pa asnjë votë rreth idesë së copëtimit te territorit, përkatësisht platformë për bërjen e Kosovës shtet funksional dhe anëtar të barabartë me kombet tjera të botës së qytetëruar.
Koha.net: Si e vlerësoni se do të ishte, mbase më e mirë, qeverisja e ardhshme, apo, a mund të parashikohen koalicionet e ardhshme tash?
Kryeziu: Mirë është të lëshohet pak vendi për t’u provuar ata që asnjëherë nuk kanë qenë në pushtet.
Koha.net: Ndonëse, presidenti ende s’ka konsultuar partitë nëse do të propozojnë mandatarin e radhës. Opozita ka thënë se s’do të marrë pjesë në asnjë takim lidhur me mandatarin, pra kërkojnë vetëm zgjedhje sa më parë. Sa do ta vështirësojë kjo gjendjen që veç është krijuar?
Kryeziu: Këto janë pozicione të skajshme të dyja palëve, gjë që tregon se këtu do të jetë shumë vështirë të gjendet një zgjidhje. Kam frikë që Presidenti do të shtyjë pafund konsultimet dhe do të banalizoj çdo aspekt të formimit të qeverisë së re të Kosovës, duke tentuar të bëjë të pakuptimtë shkuarjen në zgjedhje, por unë nuk shoh asnjë alternativë përpos ri legjitimimit urgjent të forcave politike dhe atë përmes vet shpërbërjes së Kuvendit si rruga më e shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Koha.net: Tash në këto rrethana, kur flasim për ngecjen e dialogut me Serbinë, a mund të ekzistojë ndonjë formë që ai të vazhdojë?
Kryeziu: Asnjë formë e vazhdimit të dialogut nuk mund të ekzistoj në një kohë kur vendi nuk ka ekzekutiv i cili është i vetmi organ kushtetues që ka mandat për të bërë dialog me çdo shtet të jashtëm dhe për të lidhur marrëveshje në emër dhe për dobi të shtetit të Kosovës e pastaj t’i dërgoj ato në Kuvend për ratifikim.
Koha.net: Dhe, si e vlerësoni aktualisht pozicionin e Kosovës?
Kryeziu: Shumë të dobët . Kjo sepse asnjë levë e pushtetit në vend nuk është duke u treguar serioz karshi botës dhe qytetarit të vet. Vlerësoj se ky koalicion qeverisës nuk ka treguar pjekuri politike të nevojshme për avancimin e rrugës integruese të Kosovës.
Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova nuk ka treguar përkushtim politik për ndërmarrjen e reformave evropiane. Përderisa Kosova ka stagnuar për shkak mungesës së vullnetit politik për ndërmarrjen e reformave, siç janë de politizimi i administratës publike apo pavarësia e sistemit drejtësisë, vendet e rajonit kanë treguar vullnet politik për rrugën e tyre integruese.
Kosova për fajin tërësisht të klasës politike aktuale në qeveri, vendosi veten në kategori të njëjtë me shtetet quasi-funksionale siç është Bosnja dhe Hercegovina. Në fakt, në fushën e sundimit të ligjit, apo kapitujt 23 dhe 24, Kosova është mbrapa Bosnjës dhe Hercegovinës – si vend i fundit në rajon.
Në këtë drejtim, mesazhi për Kosovën është shumë i qartë – pa një drejtësi të pavarur, ku ligjit është i barabartë për të gjithë nuk do të ketë avancim të rrugës së saj integruese.