Elmaz Isufi, zëvendëskryeredaktor në Grupin KOHA, ka thënë se partitë politike në Kosovë janë të mbivlerësuara.
Ai ka shtuar se elektorati në Kosovë ka treguar më shumë pjekuri politike sesa partitë politike.
“Elektorati nganjëherë tregon më shumë pjekuri politike sesa partitë politike. Elektorati nuk është grup interesi, partitë tona janë të mbivlerësuara për rolin që e kanë për administrimin e shtetin, qeverisë, politikave, të ardhmes sonë. Shumica e protagonistëve nëpër parti, angazhimin në parti politike e kanë vend pune, angazhimin në Kuvend e kanë një vend pune. Fakti se lehtësia me të cilën e nisin fushatën, e mbyllin, i pranojnë rezultatet kallëzon se nuk janë shumë të brengosur për performancën që e kanë pasë”, u shpreh Isufi.
Hysa: Një koalicion i madh do të ishte avantazh edhe në raport me Serbinë
Redaktori i Radiotelevizonit të Kosovës (RTK), Menduh Hysa, ka theksuar nevojën për një qeveri të qëndrueshme dhe me mbështetje të gjerë parlamentare, duke e cilësuar një koalicion të madh si avantazh për Kosovën, veçanërisht në raport me Serbinë.
“Shteti ka interes për një qeveri të qëndrueshme, me shumë numra dhe të bazuar në koalicion. Nëse ka konsensus mes faktorit politik shqiptar për interesin nacional, siç është çështja e veriut, zëri ynë do të jetë më i fuqishëm dhe më serioz,” ka deklaruar Hysa në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka theksuar se një qeveri e fortë do të forconte pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do të mobilizonte edhe institucionet e Bashkimit Evropian për t’i dhënë më shumë mbështetje Kosovës.
“Nëse kemi një qeveri me mbështetje të gjerë dhe jo të fragmentuar, do të kemi më shumë ndikim në proceset politike dhe diplomatike,” ka shtuar ai.
Koci: Kushdo që e bën Qeverinë, do të rrëzohet pas një viti
Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka parashikuar qeveri të paqëndrueshme pas zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se cilado parti që formon ekzekutivin, do të përballet me rrëzim brenda një viti.
“Në rast se Lëvizja Vetëvendosje mbetet në opozitë, do ta rrëzojë qeverinë pas një viti, ashtu siç do të veprojë opozita nëse Vetëvendosja e krijon Qeverinë,” ka deklaruar Koci në “Zgjedhjet në KOHË” të martën.
Sipas tij, opozita e ardhshme do të ketë 41 deputetë, çka do të bllokojë zgjedhjen e presidentit dhe mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai gjithashtu beson se asnjëra palë nuk do të hyjë në koalicion me Listën Serbe.
“Të dyja palët, cilado që e krijon Qeverinë, nuk do ta përfshijnë Listën Serbe”, ka theksuar ai.
Koci e sheh situatën politike si të pasigurt dhe të destinuar për krizë institucionale, duke paralajmëruar zgjedhje të reja në një të ardhme të afërt.
Koci: Kosova mund të futet në krizë politike, VV-ja maksimumi arrin në 60 ulëse
Melazim Koci, ish-kryeredaktor në Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova mund të futet në krizë institucionale nëse nuk ka vullnet politik për qeverinë e re.
Ai ka theksuar se janë dy përpjekje paralele, ajo e Vetëvendosjes kryetari i së cilës ka thënë se nuk do koalicion, dhe opozita që po ashtu është shprehur kundër koalicionit me VV-në.
“Kosova mund të futet në një krizë institucionale që mund të zgjasë bukur shumë për shkak të mungesës së vullnetit politik sepse ne këtu kemi një fitues të këtyre zgjedhjeve, vendimi i sovranit ka qenë që VV-ja në koalicion me ndonjë subjekt të udhëheqë me qeverinë. Për rrethana që i kemi në Kosovë kjo duket e pamundur. Tani kemi dy përpjekje paralele, përpjekjen e VV-së që të bëjë qeverinë e vetme, mendoj se Kurti e ka bërë të qartë se nuk dëshiron koalicion. E njëjta vlen edhe për opozitën. Dy subjekte e kanë bërë të qartë se nuk duan koalicion, mbetet të shihet cili është qëndrimi i LDK-së”, u shpreh ai.
Koci ka shtuar se VV-ja mund të arrijë të sigurojë 60 ulëse në Kuvend.
“Dje është dukur sikur opozita do ta bëjmë qeverinë, sot ka lëvizur pak. VV-ja është e mundur ta bëjë qeverinë e vetme sepse ka 47 mandate, ka potencialisht një mandat të Rashiqit dhe janë katër mandate të diasporës. Teorikisht VV-ja ende mund ta bëjë qeverinë e vetme. Mendoj se ata do t’i arrijnë 60 mandate, do t’u mungoj një mandat të cilin nuk më duket se mund ta gjejnë. Pastaj opozita do ta marrë çështjen dhe besoj se opozita do ta formoj më lehtë qeverinë”.
Kryeziu: KQZ-ja e ka dëmtuar besimin publik në këtë proces
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Demokraci, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka cenuar besimin publik në procesin e numërimit të votave për kandidatë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka shtuar se nuk mund të arsyetohet vonesa e KQZ-së në këtë proces, pasi ka pasur kohë t’i bëjë përgatitjet.
“Sot kemi kërkuar prej KQZ-së që të jetë më e angazhuar në numërimin e tyre sepse garantimi i votës nuk është vetëm për subjektet politike, por për deputetët për të cilët kanë votuar qytetarët. Sa dimë ne kanë problem në softuer dhe programet teknologjikë të tyre që janë për herë të parë duke i përdorur. Por, kjo nuk e arsyeton KQZ-së sepse ka pasur kohë të përgatitet, kemi pasur një periudhë 6 muaj nga shpallja e zgjedhjeve që kjo nuk e arsyeton neglizhencën e KQZ-së gjatë punës., që gjatë këtij procesi ta jepte përshtypjen nganjëherë më tepër se po tenton të shndërrohet në institucion politik se institucion administrues të zgjedhjeve. KQZ ka dëmtuar besueshmërinë e procesit”, ka thënë ai.