Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se Kosova është ende larg në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht Raportit të Progresit, i cili përmend shumë aspekte pozitive.
Kryeziu ka thënë të mërkurën mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së, se pritjet dhe dëshirat e atyre që kanë qenë pro një ndryshimi në Kosovë nuk janë duke i arritur nivelet e parashikueshmërisë.
“Raporti reflekton që ka stabilitet politik, ka një qeverisje e cila e ka legjitimitetin e duhur. Vazhdon të përmendet që në luftimin e krimit dhe korrupsionit jemi në stadet e hershme, por ka progres. Përmendet në terma pozitiv ideja për ta reformuar sistemin e drejtësisë përfshirë edhe vettingun. Jemi ende larg rrugëtimit tonë në Bashkimin Evropian. Pritjet edhe dëshirat e gjithë atyre që kanë qenë pro një ndryshimi të madh nuk janë duke i arritur në nivelet e parashikueshmërisë. Po shihet që përpjekje ka, por nuk është e mjaftueshme vetëm me pas vullnetin pa e pas ekspertizën për t’i quar përpara reformat, për të cilat Kurti ka dhënë zotim elektoral”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se asnjë pushtet nuk mund ta përfundojë atë i vetëm.
“Kuvendi mbetet forumi ku duhet dhënë më shumë transparencë për dialogun. Çelësi i këtij procesi është transparenca, sepse transparenca është konsensusi. Asnjë mazhorancë nuk mund ta përfundojë dialogun Kosovë-Serbi e vetme”, është shprehur Kryeziu.
Edhe
Kryeziu e LVV-së: Kosova është gjithmonë e gatshme të ecën përpara në dialogun me Serbinë
Komisioni Evropian ka publikuar të mërkurën, Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022. Në të, ndër gjetjet kryesore është kritika për Kuvendin e Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore.