Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeshefi i “Trafikut Urban”: 2024-a do të mbyllet me 30 autobusë të rinj

Kryeshefi i “Trafikut Urban”, Burim Maraj, ka thënë se vitin 2024 do ta mbyllin me 30 autobusë të rinj, të cilët do t’i blejnë nëpërmjet një marrëveshje me BERZH-in. Prej tyre, gjashtë do të jenë elektrikë.

Maraj ka thënë se po synojnë që të pajisen edhe me disa minibusa, të cilët sipas tij, do të përdoren për zonat më rurale ku qasja e autobusëve është e pamundur.

“Jemi shumë afër marrëveshjes me një kompani ndërkombëtare që do ta lehtësojë blerjen e autobusëve të rinj. 2024-tën besoj se do ta mbyllim me 30 autobusë të rinj, gjashtë prej tyre elektrikë. Gjithashtu, plani është me u pajis me minibusa për rrugët rurale. Ku do të mbulohen disa zona më rurale ku s’shkon Trafiku Urban”, ka thënë ai në “038” të KTV-së.

Sipas kryeshefit të “Trafikut Urban”, shumë shpejt pritet që në autobusët e kësaj ndërmarrje të vendoset interneti falas.

Ai ka thënë se në vitin 2023 kanë pasur 800 mijë euro më shumë të ardhura sesa në vitin 2022. Maraj ka treguar se 1 milion udhëtarë në ditë udhëtojnë përmes “Trafikut Urban.

Edhe Prishtina pa 30 autobusët që u premtua të mbërrijnë në 2022-tën Arbëri Prishtina pa 30 autobusët që u premtua të mbërrijnë në 2022-tën

Maraj ka thënë se punëtorëve të “Trafikut Urban”, përveç sigurimit shëndetësor, u janë rritur pagat për vitin 2024.

Sa i përket ankesave të qytetarëve, Maraj u shpreh se çdo ankesë e trajtojnë me shumë seriozitet, edhe pse ka vlerësuar se ka vetëm “raste të izoluara.

Maraj beson se shumë shpejt do të jetë gati shtegu i veçantë për autobusë nëpër Prishtinë, e cila sipas tij, do t’i eliminojë vonesat.

Maraj ka treguar edhe për projektin “Parko dhe udhëto”.

Edhe Prishtina po bëhet me 30 autobusë të rinj Arbëri Prishtina po bëhet me 30 autobusë të rinj

“’Parko dhe udhëto’ – një parking në ‘Rrugën e Shkupit’ ku udhëtarët do të kenë mundësinë që ta lënë veturën në parking, ta paguajnë 80 centë parkingun dhe me atë biletë mund të udhëtojnë tërë ditën me Trafikun Urban”, ka thënë ai.

Maraj është i vetëdijshëm se ka sfida të shumta për “Trafikun Urban”, por thotë se po punojnë për t’i sanuar të gjitha.