Arbëri

“Kryepeshkopi” nga Shqipëria do të ballafaqohet me gjyq në Kosovë

Niko Bllazhde, i njohur në publik si Nikolla Xhufka, dhe bashkëpunëtori i tij, Lejdi Zagalli, do të dalin sërish para Themelores në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për nxitje të përçarjes e mosdurimit. Xhufka, që prezantohet si kryepeshkop i Kosovës, më 2023 u fut në Kishën Ortodokse në Rakinicë të Podujevës, duke e shpallur atë kishë ortodokse shqiptare. E, prokuroria e njeh këtë objekt si të Kishës Ortodokse Serbe

Nikolla Xhufka dhe bashkëpunëtori i tij do të dalin përsëri para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për nxitje të përçarjes.

Prokuroria Speciale e akuzon Xhufkën, që zyrtarisht njihet si Niko Bllazhde, si dhe Lejdi Zagallin, për nxitje të përçarjes, me pretendimin se kanë hapur dhunshëm kishën në fshatin Rakinicë dhe e kanë shpallur shqiptare një kishë që, sipas organit të akuzës, është në pronësi dhe nën kontroll të Kishës Ortodokse Serbe.

Themelorja në Prishtinë kohë më parë vlerësoi se nuk ka prova se ata hynë dhunshëm në objektin e kishës në Komunën e Podujevës, por Apeli konstatoi se provat duhet të administrohen në gjykim.

“Pra, vetëm pas administrimit të këtyre provave mund të vlerësohet nëse të pandehurit, me veprimet e tyre të përshkruara në aktakuzë, kishin qëllimin e kryerjes së veprës penale dhe nëse veprimet e tyre kanë qenë të drejtuara kundër një grupi shoqëror me bazë kombëtare dhe etnike, të cilat potencialisht kanë mundur të çonin deri te prishja e rendit publik”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Trupi gjykues i kryesuar nga Mentor Bajraktari konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar dhe se veprimet e të akuzuarve nuk mund të mbrohen në emër të lirisë së shprehjes.

“Përfundimisht kjo vepër penale, e cila hyn në kuadër të krimeve të urrejtjes, përkufizohet si akt kriminal i motivuar nga paragjykimi ose paragjykimi ndaj grupeve të veçanta të njerëzve që në vetvete përfshijnë dy elemente: një sjellje që kualifikohet si vepër penale (neni 141 i KPRK-së) dhe një motivim paragjykimi. Rrjedhimisht, kjo vepër kuptohet se ndodh kur një autor ka shenjëstruar qëllimisht një individ ose pronë të lidhur me – apo edhe të perceptuar të jetë anëtar i një grupi që ndan një karakteristikë të mbrojtur, që mund te jetë e orientimit seksual, etnik, fetar etj., e që në rastin konkret konsiderojmë së janë përmbushur këto elemente”, shkruhet në aktvendim.

Shkalla e dytë konstatoi po ashtu se nuk është e domosdoshme që të prishet rendi publik për t’u kryer nxitje e përçarjes.

“Nga analizimi i normës ligjore te nenit 141 të KPP-së, mund të konkludojmë se për t’u kryer vepra e lartcekur penale, nuk kërkohet që të gjitha elementet e kësaj vepre penale të përmbushen në mënyrë kumulative, siç ka konkluduar gjykata në këtë rast. Qartazi, norma ligjore potencon se vepra penale e lartcekur konsumohet në të gjitha rastet kur ‘kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje... midis grupeve kombëtare, racore, etnike, fetare, në menynë e cila prish rendin publik. Pra, nuk është e domosdoshme që të prishet rendi publik, nga veprimi i kryerësit të kësaj vepre penale. Për më shumë, në rastet e tilla, duhet të kihet parasysh, që nga veprimet e tilla të kryerësve të kësaj vepre penale të mos kemi pasojën, sepse në rastet kur kemi prishje të rendit publik me qëllim të nxitje së urrejtjes, atëherë pasojat janë të papara”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Prokuroria Speciale pretendon se në nëntor të 2023-tës përmes një videoincizimi të postuar në Facebook, shtetasi i Shqipërisë, Xhufka, ka bërë nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve fetare, kombëtare dhe etnike që jetojnë në Kosovë.

Në atë video, sipas aktakuzës, i ka thënë patriarkut serb Porfirije: “Mos guxo t’i afrohesh Ortodoksisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse ‘Fan Noli’ në Rakinicë të Podujevës, sepse zjarri i ferrit të pret. Jeni një kishë dhunuese dhe një kishë antiligjore, jeni një kishë e mallkuar nga Kisha Ortodokse e vërtetë Kombëtare Shqiptare”.

Niko Bllazhde edhe paraqitet si “kryepeshkop i Kosovës” dhe prijës i “Mitropolisë së Parë Shqiptare Ortodokse në Kosovë”. Autoriteti i tij nuk është pranuar nga asnjë kishë ortodokse në rajon. Kisha e braktisur e Shën Arkangjel Mëhillit në Rakinicë të Podujevës, ku hynë e meshuan të akuzuarit, është në listën e monumenteve të mbrojtura nga Ministria e Kulturës e Kosovës.