Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeparlamentarët e Ballkanit mblidhen në Bruksel në fund të muajit

Foto: Reuters

Me ftesë të presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, kryetarët e parlamenteve të Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të mblidhen në Bruksel në Samitin e dytë të Parlamentit Evropian me kryeparlamentarët e Ballkanit. Sipas njoftimit publik nga PE-ja, të pranishmit do të diskutojnë për rolin e parlamenteve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në një botë pas-COVID-19.

Pos takimit me Sassolin, krerët e kuvendeve në shtetet e Ballkanit Perëndimor do të takohen edhe me pjesëtarë të Komisionit për Çështje të Jashtme të PE-së.

“Jam i lumtur të mirëpres kryeparlamentarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për herë të dytë në Parlamentin Evropian. Është vendimtare të ritheksojmë rolin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor dhe të Parlamentit Evropian në procesin e zgjerimit të BE-së, si parakusht vendimtar për ndërtim të demokracive të fuqishme, të përshtatshme për një të ardhme evropiane. Kjo është edhe më me rëndësi pas krizës së COVID-19, që ka sfiduar të gjitha parlamentet në gjithë botën”, ka thënë Sassoli.

Takimi do të mbahet më 28 qershor në mesditë.

Pritet që në fund të ketë një deklaratë të përbashkët.

Samiti i parë i kryeparlamentarëve të Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian u mbajt më 28 janar të vitit të shkuar, nën patronazhin e Sassolit.