Qeveria e Kosovës deklaroi se kryeministri Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për atentatin e planifikuar ndaj tij.
Në një përgjigje për KOHËN, Kryeministria tha se Kurti është njoftuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por që “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në njoftim.
Mediumi shqiptar “A2News” ka bërë të ditur se është publikuar një dokument nga hakerët iranianë, që thonë se është vjedhur nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano.
Në dokument tregohet se si para një viti Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë, kishte zbuluar një plan që ishte bërë për ta ekzekutuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më pas Ismet Haxhën, ish-anëtarin e Shërbimit Informativ të Kosovës, si dhe Xhavit Halitin, deputetin e PDK-së.