Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeministri sllovak pro-rus s’sheh arsye për ta njohur Kosovën

Kryeministri i Sllovakisë me bindje pro-ruse, Robert Fico, ka deklaruar se nuk sheh ndonjë arsye për ta njohur Pavarësinë e Kosovës.

Sllovakia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën.

Në një intervistë për “Tanjug”, Fico ka thënë se Sllovakia është një vend i vogël që i përmbahet parimit se vendet e vogla që nuk kanë armë dhe nuk i zgjidhin problemet e tyre me mjete ushtarake mund të mbështeten vetëm në ligjin ndërkombëtar.

“Nëse kemi të njëjtin guxim të themi se shohim shkelje të së drejtës ndërkombëtare në rastin e Ukrainës, atëherë kemi guxim të themi të njëjtën gjë në rastin e Kosovës. Prandaj, nëse mbetemi në platformën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, standardet se si duhet të krijohet një shtet i pavarur, atëherë mund të na besoni ne nuk shohim asnjë arsye për ta njohur Kosovën”, ka thënë Fico.

I pyetur nëse Sllovakia është nën presion për shkak të këtij qëndrimi, Fico ka theksuar se tashmë është mësuar me faktin që, nëse ndonjëherë thua një mendim të guximshëm dhe thua të vërtetën, dhe nuk thua atë që presin “mediat liberale, progresive, bëhesh objekt kritike”.

Fico u shpreh se, duke aluduar në Kosovën, vendet që nuk janë politikisht të gatshme ftohen të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe vendet që tregojnë shkallë të lartë gatishmërie refuzohen politikisht. Kryeministri sllovak i tha këto fjalë duke komentuar se para Serbisë po vihet kushti që marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit të bëhet pjesë e kornizës së negociatave për anëtarësim në BE.

Por Fico ka thënë se Serbia duhet të llogarisë në faktin që tema e Kosovës do të përdorët si frenim për negociatat për anëtarësim në BE.

Edhe Për herë të parë në 15 vjet, Sllovakia do të dërgojë trupa në Kosovë Arbëri Për herë të parë në 15 vjet, Sllovakia do të dërgojë trupa në Kosovë

“Kur bëhet fjalë për Sllovakinë, mund të them se anëtarësimi i Sllovakisë në Bashkimin Evropian është një histori e mirë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian na ka ndihmuar shumë. Unë me të vërtetë dua që vendet si Serbia të kenë të njëjtin shans. Është shumë e rrezikshme nëse në plan të parë dalin kriteret politike dhe jo kriteret që janë të rëndësishme: pra kriteret e shtetit ligjor, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gatishmërisë ekonomike. Nëse Serbia do të ishte vend anëtar i Bashkimit Evropian, në përgjithësi do të ulte tensionin”, ka thënë ai.

Si shembull, Fico deklaroi se Sllovakia sot ka marrëdhënie të shkëlqyera me Hungarinë edhe kur bëhet fjalë për pakicat kombëtare, ndryshe nga e kaluara.

“Sot përfaqësuesit politikë të Sllovakisë dhe Hungarisë kuptohen mirë dhe nuk ka çështje të pazgjidhura mes tyre”, ka thënë Fico.