Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndodhet në Bruksel ku nesër pritet të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sot (15 korrik) kryeministri Hoti ka pasur disa takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe një takim me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi. Përveç çështjes së dialogut me Serbinë, në këto takime, është folur edhe për asistencën e BE-së në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si dhe në përballjen me pandeminë e COVID-19, është njoftuar nga zyra e kryeministrit.
"Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, brenda pak ditësh, ka takuar për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes. Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës. Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie", thuhet nga zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimeve nga BE-ja takimi Hoti-Vuçiq do të nisë të enjten në orët e pasdites. Nga ana e BE-së takimin do ta lehtësojnë Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ata pritet që së pari të kenë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiq, për të pasuar më vonë me një takim të përbashkët në kuadër të dialogut.
Edhe
Hoti takon Varhelyin, bisedojnë për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi
Do të jetë ky takimi i parë me praninë fizike të pjesëmarrësve në dialog, pasi të dielën që shkoj ata patën një konferencë virtuale.
Në BE tashmë konsiderojnë se dialogu ka rifilluar. Zyrtarët evropianë thonë se palët kanë rënë dakord për agjendën e dialogut, por nuk japin hollësi se cilat tema pritet të jenë në rend dite.
Nga burimet brenda BE-së është përmendur edhe mundësia që presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të organizojë nesër një takim të përbashkët me kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiq, para se të nisë takimi në kuadër të dialogut.
Në këtë mënyrë BE-ja dëshiron të tregojë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë qëndron më së larti në agjendën e Bashkimit Evropian.
Edhe
Kurti e Vuçiqi sot takohen me liderët evropianë
Por, ky takim me presidentin e Këshillit Evropian varet edhe nga agjenda e tij, pasi ai është në konsultime të pandërprera me shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në përpjekje për të arritur marrëveshjen për Kornizën shumëvjeçare financiare të BE-së dhe fondit për rimëkëmbje.
Këto do të jetë edhe temat kryesore të samitit të BE-së, të premten dhe të shtunën në Bruksel, samiti i parë me praninë fizike të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, që nga fillimi i pandemisë.