Arbëri

Sot në Bruksel takohen Kurti e Vuçiqi

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot, e martë, 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se në takim do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Fillimisht pritet që Borrelli të ketë takime të ndara me dy palët, ndërkaq më vonë të nisë takimi trepalësh, ku pjesë do të jetë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dy shtetet s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga viti i shkuar, kur në Kosovë vendi udhëhiqej nga Qeveria Hoti.

Për Kurtin do të jetë takimi i parë në dialog, si kryeministër. Ai ka thënë se do të takohet me Serbinë për të diskutuar për “dialogun e ardhshëm”.