Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronikë e KTV-së për të gjitha përplasjet e sotme në Kuvendin e Kosovës

Një përplasje tjetër ka ndodhur këtë të martë në Kuvendin e Kosovës mes ish -bashkëpartiakëve të dikurshëm, tash të ndarë në dy parti. Dardan Molliqaj ka drejtuar kritika të ashpra drejt ish -partisë të tij, Vetëvendosjes, raporton KTV.

Ai e ka pyetur lëvizjen nëse ka ndryshuar qëndrim ndaj Listës Serbe, që dikur deputetët e këtij subjekti politik serb i quanin çetnik, vetëm për t’i marrë votat për rrëzimin e Qeverisë.

Molliqaj i ka kërkuar opozitës që të bëhen bashkë në një front të përbashkët opozitar, e jo ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes tha se më pak i dëmshëm do të ishte rrëzimi i Qeverisë me votat e serbëve, sesa statuti i “zajednicës”.

Konjufca ia kujtoi Molliqajt që të hënën ata u bënë bashkë me PDK-në, duke votuar kundër shkarkimit të Aida Dërgutit, e kjo tregon, sipas tij, se kush me kë po bashkëpunon.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur para deputetëve për shpenzimet që bëhen nga Zyra e kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Në këtë seancë janë tërhequr nga rendi i ditës interpelancat e kryeministrit, në mungesë të këtij të fundit. Ndërkohë, është tërhequr edhe Projektligji për liritë fetare me kërkesë të Slavko Simiqit, por që u kundërshtua nga shumë deputetë. Ndërkohë, më herët deputetët nuk e votuan por vendosën për të riharmonizuar rezolutën për mjetet që i ka ndarë Qeveria për rrymën në veri.

Artikuj të ngjashëm