Me ketë video ka filluar tubimi i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj.
Aty u shfaqën edhe disa deklarata të ish-presidentit e ish-kryeparlamentarit, që ishin edhe dy ish-krerët e kësaj partie e që tash janë në Hagë.
Drejtuesit e kësaj partie për pjesëmarrësit shpërndanë bluza e maska me mbishkrimin “Liria ka emër”.
Edhe në ketë tubim të PDK-së, vota u kërkua duke u përmendur krerët e UÇK-së.
“Në Hagë kemi dy udhëheqësit kryesorë të luftës që gjenden në aktakuza të rënda dhe të sajuara, por ne do të dimë të tejkalojmë këto sfida, por do t’i kundërvihemi me votën tonë”, ka thënë Avdi Sejdiu nga OVL e UÇK-së.
“Ka nevojë të ndodhë rimëkëmbja ekonomike kombëtare e politike”, ka thënë Agim Aliu-Kryetar i Ferizajt
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, nuk pati mundësi të niste menjëherë fjalimin e tij.
Ai tha se Kosova nuk ka qeveri qe një kohë të gjatë, derisa shpalosi premtimet e tij, para qytetarëve të Ferizajt.
“Për neve si parti politike ata do ta marrin edhe pensionin, por do ta kenë edhe kontratën e punës. Ne po ashtu jemi parti që në këto zgjedhje hynë me programin më të qartë, që është diskutuar me qytetarët kudo. Ne do të vaksinojmë 70%”, ka thënë Enver Hoxhaj, kandidat për kryeministër nga PDK-ja.
As në këtë tubim të Partisë Demokratike të Kosovës nuk u respektuan masat kundër Covid-19, për shkak se qindra pjesëmarrës ishin mbledhur në një sallë të mbyllur shumica e të cilëve ishin pa maska, e nuk u respektua distanca.