Qytetarët kërkojnë nga Qeveria, që përveç zotimit për ndarjen e miliona eurove për subvencionim të energjisë, të hartojë edhe masa shtesë për t’u dalë në ndihmë. Propozime për kalimin e kësaj situate kanë dhënë edhe ekonomistët, përderisa ditë më parë Ekzekutivi kishte paralajmëruar një pako me masa mbështetëse. Të shtunën mbrëma ka dalë me vendim të ri, me të cilin është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90 milionë eurove
Shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike ka nxitur qytetarët që të kërkojnë ndihmë shtesë nga Qeveria e vendit për të kaluar këtë krizë. Ndonëse Ekzekutivi është zotuar për subvencionim të energjisë elektrike deri në pragun e propozuar për shtrenjtim, qytetarët kërkojnë që atyre t’u dilet në ndihmë edhe me masa shtesë. Qeveria pati premtuar ndarjen e 75 milionë eurove të cilat do të shërbejnë që faturat e konsumatorëve shtëpiakë që shpenzojnë deri në 600 kilovatë në muaj te qytetarët të shkojnë pa ngritje. Ndërkaq të shtunën në mbrëmje, me një vendim të ri, vlerën e zotuar për subvencionim e ka ngritur në 90 milionë euro.
Për qytetaren Bedrie Neziri, Qeveria duhet të jetë shumë e përgjegjshme dhe gjithmonë të jetë në favorin e qytetarit.
“Vështirë është edhe për shtetin, por patjetër duhet me e gjetë ndonjë mënyrë, ndonjë metodë që t’u ndihmojë të varfërve. Ose të bëjë pagimin e gjysmës së rrymës, e dikujt ndoshta edhe borxhin t’ia shlyejë, sepse ne e dimë ku jemi dhe ku po jetojmë”, ka thënë ajo, disa orë para vendimit të ri të Qeverisë.
E, Ekzekutivi, nëpërmjet një komunikate për media, të shtunën në mbrëmja ka njoftuar se është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët.
“Sipas vendimit të miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90.000.000.00 € (nëntëdhjetë milionë euro). Vendimi synon të ulë ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët. Ky vendim është marrë pas rritjes enorme të çmimeve të importit, që ka shkaktuar krizën e furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Dizajnimin e masave shtesë e pati paralajmëruar ditë më parë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, por dikasteri që ai udhëheq nga e premtja nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse ka përfunduar hartimi i tyre. Për masat e paralajmëruara është thënë shkurtimisht se do t’u dalin në mbështetje vetëm qytetarëve që kursejnë energji elektrike.
“Për shembull, nëse një familje ka shpenzuar 100 euro në shkurtin e vitit të kaluar, dhe këtë vit arrin ta ulë konsumin në 90 euro, do të marrë edhe po aq nga shteti, domethënë do të kursejë dyfish”, kishte deklaruar Murati.
Rinora Gojani nga organizata “Balkan Green Foundation” e ka vlerësuar këtë si masë të mirë. Sipas saj, me të do të nxitej ulja e konsumit e do të binte edhe nevoja për import të energjisë, që ka mbërritur në çmime rreth pesëfish më lartë se viteve të shkuara.
“Medoemos mendoj që ata qytetarë, të cilët tregojnë dedikim në përmirësim apo në ndryshim të burimit të ngrohjes në shtëpitë e tyre, medoemos se duhet të mbështeten. Kështu që të njëjtën gjë duhet ta bëjnë të gjitha familjet në mënyrë që konsumi i energjisë në Kosovë të bjerë dhe të mos mbesim shumë të varur nga importi”, ka thënë Gojani.
Sipas profesorit Sejdi Rexhepi, masa mund të mos jetë shumë efektive, meqë, siç ka thënë ai, në kohën kur temperaturat janë të ulëta dhe nevojat për ngrohje janë shumë të larta, mundësitë për kursim do të jenë minimale.
“Në rrethanat kur qytetarët nuk kanë forma alternative të ngrohjes, natyrisht se do t’i përdorin burimet e energjisë elektrike dhe sado që të jetë tendenca që të kursejnë, kursimi do të jetë minimal. Dhe, në këtë mënyrë përfitimet e qytetarëve nga kursimi gjithashtu do të jenë minimale, ndërkohë që edhe Qeveria do ta japë një kontribut jo të mjaftueshëm dhe jo të duhur për ta”, ka thënë ai.
Kësisoj, Rexhepi ka dhënë një propozim tjetër për Qeverinë që, sipas tij, duhet të përfshihet në masat mbështetëse për kursyesit e energjisë. Ai ka rekomanduar që të ketë një ngritje të ndjeshme të pagave e pensioneve në proporcion me ngritjen e çmimeve që është bërë në Kosovë në të gjithë sektorët.
“Propozimi im ka të bëjë me rivlerësimin, revalorizimin ose indeksimin e pagave, pensioneve, ndihmave sociale dhe çdo forme tjetër të pagesave ndaj qytetarëve. Të rivlerësohen për nivelin mesatar të rritjes së çmimeve të konsumit të përgjithshëm. Kjo në realitet do të kishte efekte shumë më të mëdha se çdo formë tjetër e subvencionimit për faktin se kështu do të ruhej fuqia reale blerëse e qytetarëve, kështu do të ruhej niveli ekzistues i mirëqenies së qytetarëve dhe kështu do të ruhej edhe niveli ekzistues i aktivitetit ekonomik të bizneseve”, ka thënë Sejdiu.
Në një raport konsultativ që ka publikuar javë më parë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar fatura me çmime më të larta për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë energji elektrike. Mirëpo, brenda afatit të përcaktuar për konsultim të këtij propozimi, palët e interesit kanë dërguar komente me rekomandime që ky prag të rritet deri në 800 e madje edhe 100 kilovatë. Shqyrtimin e këtyre rekomandimeve dhe përpilimin e raportit final me strukturën e re tarifore, ZRRE-ja ka paralajmëruar se do ta përfundojë brenda muajit shkurt.