Në kohën kur Kosova ka pezulluar bisedimet me Serbinë, për herë të parë është mbledhur Komisioni ndërparlamentar për të diskutuar për këtë proces, raporton KTV.
Si pjesë e një memorandumi të nënshkruar nga Instituti Demokratik i Kosovës me Kuvendin, debati është organizuar me kryetarët e komisioneve parlamentare.
Deputetët kanë kritikuar qasjen e qeverisë; ata të pushtetit kryesisht për mungesë të transparencës e deputetët opozitarë edhe në përmbajtje të marrëveshjeve të arritura. KDI-ja ka treguar për hulumtimet e tyre të opinionit, sipas të cilave, qytetarët kanë mungesë të madhe të informacioneve për bisedimet me Serbinë.
Pas një përplasjeje ndërmjet Muhamet Mustafës së LDK-së dhe Albulena Haxhiut të Vetëvendosjes, kjo e fundit e ka lëshuar mbledhjen në shenjë protestë për fjalën e Mustafës.
Kosova ka pezulluar dialogun me Serbinë që nga muaji i kaluar, për shkak të mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë.