Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin online “Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, ku morën pjesë deputetë të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në hyrje të diskutimit, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, tregoi për punën dhe aktivitetet e KDI-së në funksion të rritjes së transparencës së procesit të dialogut, si dhe llogaridhënies së ekzekutivit karshi publikut për këtë çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë diskutimit, u prezantua analiza “Fuqizimi i mbikëqyrjes parlamentare ndaj dialogut Kosovë-Serbi”, e cila paraqet një pasqyrë të asaj se si e ka ushtruar Kuvendi rolin e tij mbikëqyrës ndaj dialogut deri më tani, si dhe ofron rekomandime konkrete për deputetët e Kuvendit për të përmbushur në mënyrë më efektive mandatin e tyre mbikëqyrës ndaj këtij procesi.
Violeta Haxholli, autore e punimit në fjalë, vlerësoi nevojën për fuqizimin e Kuvendit si organi më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme dhe dialogut me Serbinë, duke qenë se dialogu është një nga proceset më të rëndësishme në të cilat po kalon vendi.
Ajo theksoi se procesi i dialogut me Serbinë vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të mospajtimeve dhe debateve të ashpra në Kuvend.
“Duke pasur parasysh që çështja e dialogut me Serbinë shkon përtej interesave partiake, partitë parlamentare duhet të tentojnë të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët lidhur me qasjen ndaj Serbisë dhe dialogut në veçanti. Një qëndrim i përbashkët i një spektri më të gjerë politik do të fuqizonte vet rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj procesit të dialogut”, tha Haxholli.
Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit shprehën perspektivën e tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në përgjithësi, si dhe rolit që Kuvendi duhet të ketë në raport me këtë proces. Edhe gjatë këtij diskutimi, u evidentuan dallimet e mëdha që ekzistojnë mes partive politike parlamentare lidhur me këtë proces.
Fitore Pacolli-Dalipi nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi që mbikëqyrja e Kuvendit karshi Qeverisë nuk ka mundur të jetë efikase për shkak të qasjes së qeverisë, e cila ka raportuar sa për sy e faqe, ndërsa në shumë raste ka pasur kushtëzim të raportimeve të ministrave apo kryeministrit, qoftë në kohëzgjatje apo përmbajtje të pyetjeve. Sipas saj, në situatën kur Kuvendi është jo-funksional, duhen zgjedhje të reja parlamentare, ndërsa deri në formimin e një qeverie të re legjitime, të ndërpritet procesi i dialogut.
Ndërsa, Faton Bislimi, deputet nga radhët e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësoi që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë barrë e të gjitha institucioneve dhe partive politike në vend, e jo vetëm e Qeverisë apo ndonjë partie të caktuar. Bislimi shtroi nevojën për formimin e një komisioni të veçantë për procesin e dialogut, ku do të përfaqësoheshin të gjitha grupet parlamentare, e që si mekanizëm do të ishte linja e parë e frontit mbikëqyrës të Kuvendit në raport me Qeverinë dhe ekipin negociues.
Kurse Blerta Deliu-Kodra, nga radhët e subjektit tjetër opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, u deklarua që procesi i dialogut ka humbur vëmendjen, e cila është zhvendosur sidomos pas zhvillimeve të fundit me Gjykatën Speciale. Deputetja Deliu-Kodra ritheksoi që me brishtësinë e saj, Qeveria nuk ka asnjë mundësi të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare që mund të sillet dhe aprovohet në Kuvend, prandaj është i domosdoshëm, sipas saj, një kompromis mes forcave politike në vend.
“Raportimet e ekzekutivit kanë qenë më tepër sa për të kryer një obligim, por ne si deputetë nuk kemi marrë asgjë konkrete sa i përket temave të diskutuara apo të ngritura nga deputetët”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Time Kadrijaj, si deputete e AAK-së dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, potencoi që pas zhvillimeve të fundit, dialogu duhet të ndërpritet deri në krijimin e kushteve më të mira për rifillimin e tij. Sipas saj, nuk mund të vijohet me një proces deri të dialogut, derisa në Serbi janë duke u kryer zhvarrosjet e trupave të personave të pagjetur.
Nga radhët e pjesëmarrësve tjerë të këtij diskutimi, u ngritën për diskutim çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, temat dhe çështjet që mund të arrihet konsensus, si dhe asaj se çfarë kanë bërë institucionet tona për faktin që gati 1/3 e personave të pagjetur janë joshqiptarë. Panelistët u pajtuan që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të formohet pa qenë në përputhje të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, ndërsa kërkuan që çështja e personave të pagjetur të zgjidhet sa më shpejtë, pavarësisht etnisë së tyre, duke kërkuar presion të bashkësisë ndërkombëtare për Serbinë, e cila duhet të zbulojë vendndodhjen e këtyre varrezave masive.
Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë. Ky diskutim u zhvillua në respektim të plotë të masave të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.