Brukseli zyrtar lansoi një varg kritikash ndaj Qeverisë, pas gjuhës akuzuese që kryediplomatja kosovare përdori ndaj BE-së. E njohës politikë kanë ndarë fajin mes Qeverisë dhe bllokut evropian, sa i përket qasjes ndaj njëra-tjetrës dhe pasojave që mund të prodhohen nga një raport i ashpërsuar mes tyre
Qeveria e Kosovës është kritikuar një ditë më parë nga Bashkimi Evropian (BE) për deklarata të paargumentuara e dështim për të përmbushur obligimet e marra në Bruksel.
Por, njohës politikë kanë ndarë fajin mes Qeverisë dhe bllokut evropian, sa i përket qasjes ndaj njëra-tjetrës e ndikimit që mund të ketë një raport i ashpërsuar mes tyre.
Sipas analistit Visar Xani, raportet jo të mira me BE-në nuk e ndihmojnë Kosovën në rrugëtimin e saj integrues. Mosndërtimi i një gjuhe korrekte e edhe i raporteve të mira me BE-në, Xani thotë se përbëjnë dështim të diplomacisë së Kosovës.
“Reagimet e BE-së mbase ishin të çuditshme, por duket që janë tejkaluar ato limitet dhe kemi pasur reagime të tilla, të ashpra që nuk e ndihmojnë Kosovën në procesin integrues, nuk e ndihmojnë Kosovën për të fituar njohje të reja, nuk e ndihmojnë Kosovën për të lobuar në procese dhe në anëtarësime të rëndësishme në organizata ndërkombëtare, qofshin brenda BE-së ose përtej saj”, ka thënë Xani.
Por, sipas Dorajet Imerit, profesor i shkencave politike, nga ana e BE-së është duke munguar qasje konstruktive në raport me Kosovën.
“Prandaj BE-ja konsideroj që në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të tregojë, do të thosha, një kujdes më të shtuar ndaj Kosovës për shkakun se është pikërisht Serbia ajo që ka destabilizuar rajonin dhe e ka përdorur veriun e Kosovës që të çojë përpara agjendat e saja shoviniste”, ka thënë ai.
Imeri ka theksuar se BE-ja ka treguar mungesë të konstruktivitetit në disa fusha.
“Sidomos në raport me mënyrën se si i kanë parë negociatat me Beogradin dhe e dyta në mënyrën se si e kanë trajtuar Kosovën në aspektin e mbajtjes së deritanishme të masave që janë vendosur ndaj Kosovës, për shkak të situatës që ishte prezente në veriun e Kosovës”, ka theksuar Imeri.
Reagimi i BE-së u bë pasi ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për televizionin publik kritikoi ndërmjetësit e dialogut se kanë dështuar në këtë proces.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KOHA-n e ka quajtur “absurde” që të flitet për mungesë të vizionit, strategjisë e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi nga ndërmjetësit.
Sipas tij, ndërmjetësit e BE-së dhe të përkrahur nga vendet tjera, kanë propozuar Marrëveshjen në Rrugën drejt Normalizimit “për të cilën të dy, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, u pajtuan dhe që ofron platformë të qartë për rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Në lidhje me deklarimet e qeveritarëve e kujdesit që duhet pasur nga ana e tyre, analistët Xani e Imeri ndajnë të njëjtin këndvështrim.
“Gjuha diplomatike duhet të jetë e matur, e adresuar përmes kanaleve zyrtare diplomatike dhe në asnjë mënyrë të përdoren mediat për të akuzuar Bashkimin Evropian ose për persona të rëndësishëm në politikën e jashtme të BE-së”, ka thënë Xani.
Edhe Iberi ka kërkuar që politikanët të dëshmojnë maturi, kur të flasin në publik.
“Deklaratat e bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të jenë të matura dhe konkrete në raport me qasjen qe BE-ja ka ndaj Kosovës. Duke qenë se Kosova nuk ka orientime të tjera strategjike përveçse të ardhmen e saj evropiane dhe nisur nga kjo natyrisht që duhet të jenë të vëmendshëm për atë se çfarë deklarojnë”, ka theksuar Imeri.
Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën edhe për dështimin që të kryejë obligimin e marrë e të hartoj draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e për mospërmbushjen e kërkesave drejt heqjes së masave ndëshkuese. Në lidhje me kritikat e Bashkimit Evropian, përgjigje nuk kanë dhënë nga Qeveri.