Mundësitë që ka Kosova për të pranuar investime të reja ia kanë shpalosur krerët e institucioneve një delegacioni amerikan, që të premten ka qëndruar në Kosovë. Delegacioni i përbërë nga zyrtarë të bizneseve të ndryshme e i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë është pritur nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti ndaras kanë takuar të premten një delegacion të zyrtarëve të bizneseve të ndryshme amerikane, qëndrimin e të cilit në Kosovë e ka organizuar Zyra e Partneriteteve Globale dhe Departamenti amerikan i Shtetit.
Në takim me zyrtarët e këtyre bizneseve krerët e shtetit theksuan potencialin e Kosovës për investime të reja.
Në njoftimin për media të Presidencës thuhet se është përmendur edhe puna e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit.
“Në takim me delegacionin e lartë amerikan, presidentja Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore. Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit”, thuhet në një njoftim të Presidencës. “Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtërishme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Tutje në takim u bisedua edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara”.
Sipas njoftimit, në këtë drejtim presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta.
“Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progres i cili njihet edhe ndërkombëtarisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e bizneseve amerikane janë takuar edhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Çështja e energjisë mbizotëroi diskutimet mes tyre. Sipas njoftimit nga Ministria e Rizvanollit, përfaqësuesit e kompanive amerikane janë shprehur të interesuara për të investuar në Kosovë.
“Ministrja Rizvanolli u ka prezantuar të pranishmëve projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë, dhe i ka siguruar të ftuarit që Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë. “Kjo për të mundësuar diversifikimin dhe pavarësimin e sektorit në rajon nga burimet fosile të Rusisë, si dhe për të shtruar rrugën drejt energjisë së pastër”.
Në këtë takim, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë, të USAID-it, si dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit.