Arbëri

Krejt çfarë ndodhi në takimin Kosnett - Haradinaj - Veseli

Taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe, i bëri bashkë ambasadorin amerikan Philip Kosnett, kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veseli, raporton KTV.

I pari që hyri në zyrën e nikoqirit, kryeparlamentarit Veseli, ishte ambasadori amerikan Kosnett dhe më pas kryeministri Haradinaj.

Takimi, që zgjati më shumë se një orë, u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pas tij nuk pati deklarata për media.

Ambasadori amerikan u largua i pari nga takimi.

Larg mediave, nga dalja tjetër e ndërtesës së Kuvendit u largua kryeministri Haradinaj, i cili, pas mbledhjes së qeverisë, tha se synon që të hiqet taksa, por ajo mund të mbetet përgjithmonë, nëse nuk ka njohje nga Serbia.

“Takim i thirrur nga kryetari i Kuvendit. Biseda ka qenë dialogu, zhvillimet rreth dialogut të ndërlidhura edhe me taksën dhe mundësitë për të ardhmen me arritë në një avancim në dialog. Nuk ka ndryshim të madh. Edhe ne kemi dëshirë me heq taksën, synojmë heqjen e taksës, edhe për shkak që është sugjerim i aleatëve tonë Amerikës, ne kemi dëshirë dhe synojmë sa më shpejtt me heq, e kishim heq nëse kishim arrit një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të Kosovës”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli e ka quajtur këtë takim konstruktiv, por as ky nuk ka përmendur çështjen e taksës.

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se vendimet e institucioneve të Kosovës do të jenë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Të hënën, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga Qeveria që të mos vihen pengesa në dialogun me Serbinë.