Arbëri

Krasniqi thotë se qeverisja lokale po e degradon qytetin e Prizrenit

Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, të enjten, kanë kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, duke e akuzuar këtë të fundit për degradim të qytetit të vjetër. Sipas tyre ky model i qeverisjes është parë më herët në Komunën e Prishtinës, dhe se tani është bartur edhe në nivelin qendror.

“Nuk mund të them se u ndjeva krejt mirë sepse po e shohim një degradim të qytetit të Prizrenit. Për fat të keq ky degradim nuk po ndodhë vetëm në kuptimin e dukjes por edhe në kuptimin e potencialit që është bllokuar në Prizren në kuptimin e mbylljes që është duke i ndodhur Prizrenit. Është një degradim nga ana e qeverisjes lokale e cila realisht nuk po e mundëson kthimin e potencialit dhe angazhimin e involvimin e qytetarit të Prizrenit për ta zhvilluar edhe më tutje këtë qytet, i cili është kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve dhe kryeqytet kulturor i të gjithë neve”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Katër vitet e shkuara ai i ka vlerësuar si të humbura për mundësitë që i ka Prizreni, sidomos në aspektin ekonomik, meqë sipas tij kjo komunë qëndron prapa Ferizajt në pjesëmarrjen ekonomike të Kosovës, ani pse është qyteti i dytë për nga madhësia.

"Kjo tregon për një anemi totale të qeverisjes lokale, e cila nuk i ka ndihmuar as bizneset, nuk i ka ndihmuar as të rinjtë, as iniciativat që kanë mundur t’i japin një bum zhvillimit ekonomik”, ka shtuar Krasniqi.

Për këtë ka fajësuar VV-në, modeli i qeverisjes i së cilës, Krasniqi tha se ekziston edhe te niveli qendror.

“Këtë model qeverisës po e shohim edhe në nivel nacional. E shohim një kryeministër që po bën pushime ekskluzive qe një javë në Greqi, në kohën kur i kemi 1500 qytetarë të Deçanit të helmuar”, ka thënë ai.