Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se Qeveria Kurti me qasjen e saj karshi Serbisë është duke ndjekur vetëm dy opsione, atë të bllokimit të vendit përmes tensionimeve ose krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë një ofertë për zgjidhjen përfundimtare me Serbinë. Krasniqi ka thënë se propozim i PSD-së është ripërcaktimi i kufijve.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Krasniqi ka thënë se edhe qasja e reciprocitetit është e gabuar sepse, sipas tij, “Kosova s’ka pse të bëhet si Serbia”.
“Shumë e qartë që tensionimi u konvenon vetëm pushtetarëve autoritarë andej e këndej kufirit, Vuçiqit në Serbi e Kurtit në Kosovë. Ama për situatën e njerëzve, qoftë serbë në veri e shqiptarë në jug është me rëndësi të ketë marrëveshje përfundimtare, për paqe të përhershme”, ka thënë ai.
Sipas tij, kryeministri aktual Albin Kurti s’ka alternativa për t’i zgjidhur telashet e Kosovës. Krasniqi ka shtuar se “efekti maksimal që Kurti po arrin është zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara më 2013 e 2015, e të cilat ishin prelud i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Ai po bën veprime me synim të realizimit të marrëveshjeve që çojnë tek Asociacioni. Edhe tensionimi i situatës dhe krijimi i perceptimit se s’mund të ketë zgjidhje tjetër veç tensioneve, edhe kjo çon tek Asociacioni”, ka thënë Krasniqi duke komentuar tensionet e fundit në veri, pasi paralajmërimit për vendosje të reciprocitetit mbi letërnjoftime. “Shihni çka është prodhuar. Kurti shkakton tensione, kthehet në tryezë diskutimi dhe marrëveshjet që diskutohen e nënshkruhen e bëhen udhëzues janë ato që i kanë paraprirë Asociacionit. Po e bën krejt zhurmën për të ardhur te koha e Asociacionit. Ne shohim që është mungesa një projekti për zgjidhjen përfundimtare me Serbinë”.
Edhe
Krasniqi: Hileja e LDK-së, tash t'i afrohet VV-së e pas zgjedhjeve tjera të qeverisë me të
Si propozim të PSD-së, Krasniqi ka përmendur ripërcaktimin e kufijve në mes të dy shteteve.
“Ne kemi propozuar që disa pjesë të territorit që janë jashtë kontrollit të Kosovës dhe disa pjesë të territorit që vuajnë diskriminimin e madh që u ndodh shqiptarëve në Serbi, Luginën e Preshevës, është më mirë të ripërcaktohet si vijë kufitare e të zgjidhet përfundimisht ky problem. Më të rëndësishëm janë njerëzit se kufijtë. Mos të bëhemi se na dhimbet më shumë një tokë në veriun e largët sesa njerëzit në Luginën e Preshevës”, ka thënë ai. Sipas tij, edhe ndërkombëtarët janë të hapur “për marrëveshjet që pajtohen dy palët”.
“Momentalisht i kemi dy opsione që po ndjek Kurti, e secila më e rrezikshme se tjetra. Me e tensionu e blloku situatën më tutje, e alternativa tjetër të krijohet Asociacioni. Të dyja e dëmtojnë Kosovën së pari dhe e përmirësojnë më shumë pozicionin e Serbisë, qoftë me Asociacion, qoftë me bllokim të situatës”, ka thënë Krasniqi.
Ish-anëtari i VV-së ka thënë se kjo parti në dialog e ka vënë Kosovën si palë penguese.
Edhe
Murati: Ripërcaktimi i kufijve me Serbinë mundëson bashkimin me Shqipërinë
“Për me pas paqe në Ballkan, që mos me pas më konflikte ‘jo hini jo s’hini Rusia’, sidomos lufta në Ukrainë ka treguar se këtu duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që të mbyllet një herë e mirë ky konflikt, që të mos mendojmë se një ditë do të ketë shpërthim konflikti... me marrëveshje përfundimtare që ka rezultat pranimin e subjektivitetit të Kosovës nga ana e Serbisë e për këtë jam që të sakrifikojmë si shtet”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, Qeveria Kurti s’po del me propozime dhe “ose do të çojë në tensione të vazhdueshme me rrezik eskalimi, ose do të bëhet Asociacioni që prolongon konfliktin për 10 vjet sepse e defunksionalizon Kosovën”.
Sipas Krasniqit, Kosova humb aleatë “duke bllokuar situatën pa asnjë alternativë”.