Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ftuar për të enjten në takim të përbashkët kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit. Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë për takim, e LDK-ja i është përgjigjur negativisht ftesës. Thirrja e Kurtit për takim vjen disa orë pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, i ka shprehur presidentes së Kosovës, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se do të shkojë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultime për konstitutim të Kuvendit.
Kurti, i ka ftuar në takim kreun e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku. Takimin e përbashkët Kurti e ka ftuar për të enjten, në orën 8:30, pak para mbajtjes së vazhdimit të radhës së seancës konstituive.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se e inkurajon Kurtin që të reflektojë mbi situatën e krijuar dhe të gjej një kandidat siç ka thënë ai, të përshtatshëm për kryetar të Kuvendit.
“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale. Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Tutja ai ka shkuar se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo sipas tij, është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.
“Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar. Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media”, ka shkruar Krasniqi.
Përveç Krasniqit, Kurti ka ftuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhikun. Në letrën që Kurti ia ka adresuar Abdixhikut, ngjashëm si edhe Krasniqit, thuhet se qëllimi i konsultimit është konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30”, thuhet në këtë letër, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.
Por, ndryshe nga PDK-ja, përfaqësues të LDK-së kanë refuzuar takimin. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, i tha KOHËS se pozita e nënkryetarit që i takon LDK-së nuk është objekt diskutimi me asnjë parti politike.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit, që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, është në bazë të rezultatit zgjedhor dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për më tepër, nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.
Por në LDK ka një zë që takimet me qëllim të tejkalimit të krizave i shohin si vlerë demokratike. Valon Murtezaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje udhëheqjes së LDK-së që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për takim.
“Në politikë, dhe në situata krize, kur Republika e Kosovës nuk ka Kuvend aktiv, dhe as Qeveri aktive, pjesëmarrja në tryezë diskutimi, pa hyrë në asnjë lloj paragjykimi, është vlerë demokratike dhe lidership. Kosova është shtet i ri dhe është esenciale që dialogu mes palëve të ndryshme, të shmang thellimet e krizave”, ka shkruar ai në Facebook.
Murtezaj ka shtuar tutje se pjesëmarrja në tavolina diskutimi nuk është dobësi, përkundrazi, promovon vlerat demokratike dhe ndihmon në ndërtimin e një konsensusi për çështje komplekse dhe të rëndësishme për Kosovën.
Thirrja e Kurtit për takim vjen disa orë pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë. Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.
“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde.
Të martën, pas dështimit për të gjashtën herë që të votohet për kryeparlamentare kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, ka propozuar që votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet në pako.
Mirëpo, Kushtetuta përcakton se kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët zgjidhen ndaras.
Të enjten, në orën 10:00, Kuvendi do ta bëjë përpjekjen e nëntë për konstituim.