Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për kundërshtim të secilit aleat të Kosovës, posaçërisht të SHBA-së.
Sipas tij kjo është shndërruar në politikë zyrtare qeveritare.
“Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai e ka akuzuar Qeverinë për shndërrim të premtimeve në mashtrim.
“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim. Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë. Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euroatlantike e shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai e ka akuzuar Qeverinë për sanksionet që i janë vendosur Kosovës.
Edhe
Krasniqi në trevjetorin e Qeverisë Kurti: Tri vjet mashtrim
“Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën”, ka shkruar ai.
Sipas tij përbuzja është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa.
“Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi - mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë. Përbuzja - është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij!”, ka shkruar ai.