Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Investimi në transportin hekurudhor do të lironte çmimet në treg

Njohësi i komunikacionit, Rifat Krasniqi, ka thënë se investimi në transportin hekurudhor do të sillte përfitime të mëdha, pasi do të liroheshin çmimet e produkteve të ndryshme në treg.

Sipas Krasniqit, meqë Kosova nuk ka transport detar, investimi në transportin hekurudhor mbetet zgjidhja më e mirë.

“Në transportin hekurudhor duhet të investohet, pasi ne nuk kemi transport detar. Investimi në transportin hekurudhor do të vlente sidomos për tregti sepse në sasi të mëdha deri në 80 njësi apo më shumë që mund të bartë, do ta eliminonte transportin me kamion dhe do të kishte çmime më të lira dhe do ta zvogëlonte çmimin në treg të produkteve të ndryshme. Transporti hekurudhor mbetet zgjidhja më e mirë”, ka thënë ai në emisionin “SOT” të KTV-së.

Krasniqi thotë se lëshimi i linjës hekurudhore Fushë-Kosovës – Prishtinë, siç paralajmëroi zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, do ta lironte domosdo transportin tokësor.

“Prishtinës i mbetet sfidë zgjedhja e një stacioni modern që do lidhte transportin tokësor me transportin hekurudhor. Qytetarët e kanë të vështirë të kyçen në transportin hekurudhor pasi nuk ka një stacion që i lidh dy transportet. Lëshimi i disa linjave për Prishtinë domosdo do ta lironte transportin tokësor”, vijoi ai.