Në Kosovë niveli i rrezikshmërisë është më i lartë në hekurudhë sesa në rrugë, thonë ekspertët rrugor. Gjatë vitit 2025 janë raportuar 15 aksidente në hekurudha përfshirë edhe një me fatalitet. Vetëm në janar të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, është shënuar edhe një aksident me të lënduar. Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë ka bërë thirrje urgjente që të forcohet siguria hekurudhore në Kosovë.
Elda Islami
Siguria në infrastrukturën hekurudhore vazhdon të mbetet e brishtë.
Këtë e tregojnë më së miri statistikat, pasi vetëm gjatë vitit 2025 janë raportuar 15 aksidente, njëri prej tyre me fatalitet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas të dhënave nga Policia e Kosovës, në janar të këtij viti është raportuar edhe një aksident me të lënduar.
Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë ka ngritur shqetësim rreth këtyre aksidenteve, duke bërë thirrje urgjente që të forcohet siguria hekurudhore në Kosovë.
"Ngjarjet tragjike të fundit në kalimet hekurudhë-rrugë — përfshirë përplasjet fatale në Jagodë (Klinë) dhe pranë Kazermës Ushtarake “Adem Jashari” në Prishtinë — theksojnë rreziqet e vazhdueshme strukturore në kryqëzimet hekurudhë-rrugë dhe nevojën urgjente për ndërhyrje konkrete sigurie”, tha Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë.
Ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trainkos”, Nol Dedaj, thotë se në Kosovë niveli i rrezikshmërisë është më i lartë në hekurudhë sesa në rrugë.
"Nëse e shohim tani se për një vit ndodhin 15 aksidente, të cilat janë me dëme të mëdha ose me fatalitet, e shohim se niveli i rrezikut është shumë më i madh në hekurudhë sesa në rrugë, duke e parë krahasimin e numrit të lëvizjeve në hekurudhën Prishtinë–Pejë dhe duke e pasur parasysh që ne kemi 7 mijë kilometra rrugë, ku lëvizin jo më pak se 300 mijë automjete. Prandaj, kjo është ajo që qeveria e ka lënë pas dore transportin hekurudhor dhe niveli i rrezikshmërisë është i lartë", tha Dedaj.
Ai tregon për alternativat se si mund të shmangen këto aksidente në të ardhmen.
“Evitimi mund të bëhet me auditim, auditimin e komplet hekurudhave të Kosovës dhe trenave. Pastaj auditimi nxjerr në pah të gjitha defektet dhe çdo gjë që është në kundërshtim me sigurinë e hekurudhës”, tha Dedaj.
Në ndërmarrjen Trainkos, thonë se makinistët e tyre i zbatojnë në mënyrë rigoroze procedurat e sigurisë.
"Sa i përket aksidentit të fundit, ende jemi në pritje të raportit zyrtar, i cili është për raste të jashtëzakonshme. Ndërsa makinistët tanë zbatojnë në mënyrë rigoroze procedurat e sigurisë, përfshirë sinjalizimin zanor para afrimit në vendkalime", tha Behxhet Haziri, zëdhënës i Trainkos.
Ndër problemet sipas ekspertëve, është edhe mungesa e sinjalizimit. Dedaj thekson se Kosova e ka nivelin e sinjalizimit të shekullit të kaluar.
E kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e hekurudhave, Infrakos, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë problem.