Arbëri

Krasniqi i VV-së pas rastit në Kroaci: Listës Serbe duhet t’i ndalohet regjistrimi

Mbledhja KQZ

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se Listës Serbe duhet t’i ndalohet regjistrimi si subjekt politik, pasi autoritetet kroate arrestuan një pilot kroat të KFOR-it dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova nën dyshimin se kanë spiunuar planet e KFOR-it te Lista Serbe dhe organizatat e lidhura me krimin në veri.

Një ditë më parë në mediat në Kroaci u bë e ditur se autoritetet kroate kanë marrë në pyetje një pilot kroat të KFOR-it dhe të dashurën e tij, serbe nga Kosova, nën dyshimet se ai i kishte dhënë asaj informata mbi lëvizjet e KFOR-it përgjatë viteve, e se ajo ia ka përcjellë Listës Serbe. E të enjten atyre iu caktua masa e paraburgimit. Ndërkaq nga raportimet e reja u shpërfaqën lidhje të çiftit edhe me organizatën “Brigada e Veriut” që është shpallur terroriste në Kosovë.

Vetëvendosje ditë më parë inicioi refuzimin e certifikimit të listës së kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për shkak se anëtarë të saj veprojnë në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë. Por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë, pasi Zyra për regjistrim ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të kritereve nga kandidatët.

 “Tashmë nuk mund të flitet vetëm për moscertifikim të Listës Serbe por për vënien në veprim të nenit 14 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, NDALIMIN E REGJISTRIMIT të saj si masë e domosdoshme për të për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, parandalimin e çrregullimeve, dhunës dhe krimit, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. “Ka dëshmi të pakontestueshme që janë dorëzuar nga organet e sigurisë dhe inteligjencës të cilat po shtohen çdo ditë e më shumë që LS me financim dhe mbështetjes nga Beogradi por edhe duke shfrytëzuar mjetet nga fondi i demokratizimit të partive politike ka organizuar dhe koordinuar tërë veprimtarinë kriminale, spiunazhit, organizimin e strukutrave ilegale dhe terroriste duke shërbyer si dorë e zgjatur e regjimit të Vuçiqit dhe Beogradit duke përdorur edhe metoda të luftës hibride kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës me qëllim ndarjen e Kosovës”.

Krasniqi ka thënë se “Prokuroria, Gjyqësori, Presidenca, Kuvendi dhe Institucionet tjera përfshirë KQZ-në, duhet të vihen menjëherë në veprim, secila sipas përgjegjësive që kanë”.