Arbëri

Krasniqi e Abdixhiku refuzojnë ftesën e Osmanit për takim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim me liderët politikë të partive parlamentare, të propozuar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. 

Krasniqi e ka arsyetuar vendimin me sjelljen e Osmanit për zhvillimet e fundit, duke konstatuar se ajo ka shkelur obligimin e saj kushtetues. 

“Dje kam pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka thënë se është i gatshëm të takohet me Osmanin në rast se vendoset për caktim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. 

Ndërsa Abdixhiku në përgjigjen e tij ka thënë se LDK-ja e as ai si kryetar nuk janë konsultuar paraprakisht nga Haradinaj mbi nevojën e ndonjë takimi të përbashkët mes institucioneve të vendit dhe partive opozitare.

“Së këndejmi, nuk kemi pasur mundësinë të shtrojmë pikëpamjet tona, ndonëse partitë parlamentare kanë komunikim të rregullt brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës për çdo temë tjetër”, thuhet në letër.

Ai në këtë letër ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj SHBA-së e BE-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se LDK-ja nuk mund as ta pranojë e as ta tolerojë një përplasje të tillë të Republikës së Kosovës me aleatët tanë.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar. Në këtë ballafaqim, pozicioni presidentes është jetik; konform historisë sonë të lavdishme, konform zotimeve kushtetuese të pashkelshme, konform bindjeve të vet popullit të Kosovës”, thuhet në letër.

Këtë pozicionim të presidentes Abdixhiku ka thënë se nuk e kanë parë.

“Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë ende këtë pozicionim nga ana juaj; dhe në rrethanat e tanishme Kosovës i duhet jo një zë i mesit, por një zë i qartë, që dërgon vetëm në një drejtim; atë euro-atlantik, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, në ballafaqim të suksesshëm me qëllimet agresive të Serbisë. Si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jem i gatshëm t’ju takoj, në një rast tjetër, nëse për qëllim të vetëm kemi artikulimin e qartë dhe publik të përkrahjes së pa rezervë ndaj aspiratës euroatlantike të institucioneve tona, dhe refuzimin e politikave përplasëse e izoluese të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në letër..