Drejtoresha e Institutit D4D, Rrezarta Krasniqi, ka njoftuar se çrregullimi i informacionit po e ul besimin edhe te mediat kredibile.
Krasniqi në një intervistë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se përgjatë një viti janë analizuar rreth 8.800 mijë artikuj të paverifikuar në portale të ndryshme.
Ajo ka thënë se koha më e vështirë për monitorim të portaleve është gjatë periudhave të zgjedhjeve, pasi qarkullimi i lajmeve që kanë çrregullime të informacionit është shumë më i madh.
“Kur kemi filluar monitorimin ka qenë tetor i vitit 2021, pikërisht në periudhën e zgjedhjeve lokale dhe balotazheve që ndodhën në atë kohë dhe monitorimi i portaleve ka qenë mjaft i vështirë sepse në atë kohë politike shumë më e madhe ka qenë qarkullimi i lajmeve të cilat kanë çrregullime të informacionit dhe gjithashtu edhe ekzagjerime të titujve për shkak të fushatës zgjedhore të subjekteve politike. Për ne ka qenë e rëndësishme t’i verifikojmë kanalet që po shpërndajnë më së shumti çrregullim të informacionit që kanë ndikuar të ulet besimi në mediat. Ne nuk do të donim të ndodhte kjo në vendin tonë pasi ka media mjaft kredibile”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ka pasur portale që janë krijuar ad-hoc, vetëm për të mbuluar fushata të veçanta ose gjatë periudhës zgjedhore e më pas janë mbyllur.
“Gjatë fushatës zgjedhore informacionet janë kryesisht kundër subjekteve politike. Pjesa më e madhe tani është duke ndodhur gjatë konfliktit Ukrainë-Rusi, është pjesa më e madhe e lajmeve që kanë çrregullime të informacione që shpërndahen kryesisht në portalet serbe e që lexohen në Kosovë”, ka thënë ajo.
Edhe Fenomenologjia e dezinformimit në kohë zgjedhjeshKrasniqi ka shtuar se në të shumtën e rasteve nuk dihen as pronarët dhe as burimi i financimit të këtyre portaleve.