Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja shqyrton sot pezullimin e PSD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të mërkurën rekomandimin për pezullimin e Partisë Socialdemokrate, është bërë e ditur në një njoftim për media nga ky institucion.

KQZ-ja dhe PSD-ja kanë konfirmuar se rekomandimi për pezullim ka të bëjë me organizimin e Kuvendit zgjedhor të partisë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se PSD-ja ka pasur për obligim të mbajë konventën zgjedhore deri më 15 dhjetor. Tani sipas rekomandimit, PSD-së do t’i jepet afat shtesë prej 45 ditësh për organizim të kuvendit zgjedhor.

PSD-ja, në anën tjetër, ka thënë se “do ta rregullojë këtë çështje brenda” këtij afati.

“Nuk ka vend për shqetësim. Në janar, PSD-ja do ta mbajë Kuvendin e saj, sipas afatit të rregullt dhe të monitoruar nga KQZ-ja. Për afatet dhe detajet që lidhen me mbledhjen e Kuvendit, do të njoftoheni me kohë”, ka thënë zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Partia Socialdemokrate udhëhiqet nga Dardan Molliqaj. Ajo përbëhet kryesisht nga ish-zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u larguan nga kjo parti për siç kanë thënë vjet më parë, për shkak të udhëheqësisë së saj. Aktivistë të kësaj partie në vazhdimësi organizojnë aksione simbolike kundër pushtetit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, më 2021, kjo parti nuk mori pjesë.

Edhe Molliqaj: Kush do opozitë, duhet ta votojë PSD-në Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Molliqaj: Kush do opozitë, duhet ta votojë PSD-në

Mbledhja e KQZ-së do të mbahet me fillim nga ora 13:30, ndërsa në rend dite është edhe rekomandimi për pezullimin e partisë politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe rekomandimi për shlyerjen e borxheve të partive politike dhe subjekteve politike për periudhën 2014-2020 nga Regjistri i llogarive të arkëtueshme. Elezi ka thënë se Lëvizja për Bashkëveprim ka pasur obligim që ta organizojë konventën zgjedhore deri më 8 dhjetor. Ai ka shtuar se “nëse partitë politike nuk mbajnë konventën/kuvendin zgjedhor as pas këtij afati shtesë, atëherë, sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ me vendim e çregjistron atë”.

Partitë politike të regjistruara në Kosovë e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.