Arbëri

KQZ-ja nis përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve në veri

kqz, zgjedhjet, qeveria, rezultate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përgatitet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor, KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të martën, ka miratimin e planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Sipas këtij plani afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 21 nëntor 2022, ndërsa afati për deklarim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 17 nëntor 2022.

Në këtë plan ndër të tjera është përcaktuar edhe afati për deklarim të partive politike për mospjesëmarrje në zgjedhje, që fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 19 nëntor 2022.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka miratuar edhe planin e buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve. “Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja është në vlerën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.