Arbëri

KQZ-ja miraton planin për zgjedhjet lokale, deklarimi i partive deri më 23 qershor

KQZ

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën ka miratuar planin e aktiviteteve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, ku si fillim partitë politike do të deklarohen. Partitë kanë afat për deklarim, ku do të tregojnë se a do të marrin pjesë vetë apo me koalicion, deri më 23 qershor.

Më pas, aplikimi për certifikim do të përfundojë më 13 gusht.

Fushata zgjedhore do të nisë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor.

Ndërrimi i qendrës së votimit do të nisë më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht.

“Aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës 23 korrik - 29 gusht. Votimi përmes postës 17 shtator - 11 korrik”, ka thënë ndër të tjera Arianit Elshani, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike (PDK).

Derisa kanë diskutuar për përbërjen e komisioneve komunale zgjedhore, anëtarët janë shprehur lidhur me problemet me të cilat sfidohet secili subjekt politik.

Muharrem Nitaj i AAK-së ka thënë se nuk mund të bindet se Sekretariati ka kalkuluar drejt për shpërndarjen e anëtarëve të partive në komisione komunale zgjedhore

“Ka pasur parti politike që ka pasur një numër relativisht të votave dhe numrat që kjo parti politike përfaqësohet në KKZ është më i madh se logjika ime e prandaj kam abstenuar”, ka thënë ai. 

Ndërsa, Sami Hamiti i LDK-së e vlerëson se ka ndodhur e kundërta.

“Unë konsideroj që kemi bërë një kalkulim të saktë. Konsideroj që është formulë e drejtë e ndarjes. Këta(për serbët) nuk kanë marrë pjesë në regjistrim të popullsisë”, ka thënë ai.  

Ndërsa anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, ka thënë se reduktimi sa më i madh i KKZ-së i shpërben procesit zgjedhor. 

“Në shërbim të institucionit është numri sa më i vogël i KKZ-së”, është shprehur ai.

Pavarësisht diskutimeve mes anëtarëve, është miratuar me nëntë vota për, një kundër dhe një abstenim formula për ndarjen e anëtareve në KKZ.