LAJMET E MBRËMJES

KQZ: Fushata zgjedhore një muaj, votimi me postë nga 17 shtatori

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar Planin e aktiviteteve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në këtë plan janë të përcaktuara afatet për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, pjesëmarrjen e partive politike apo jo në zgjedhje, nisjen e fushatës e zhvillimin e votimit me postë. Diskutim te anëtarët e KQZ-së nxiti përfaqësimi i partive në komisionet komunale zgjedhore

Partitë politike kanë kohë edhe 12 ditë që të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për koalicionet që eventualisht do të lidhin në garën lokale të 12 tetorit. 

Afati për deklarimin e tyre për formim të koalicioneve parazgjedhore ashtu sikurse edhe për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale ka nisur të rrjedhë që nga e hëna e do të përmbyllet më 23 qershor. 

Këto dy afate janë pjesë e 21 sosh sa përmban gjithsej plani i aktiviteteve kryesore, që është miratuar të mërkurën nga KQZ-ja. 

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se në këtë plan kanë adresuar telashet me të cilat janë përballur nga procesi i zhvilluar më 9 shkurt. 

“Ne i kemi marrë parasysh të gjitha  ato sfidat që kemi pasur në zgjedhjet e fundit parlamentare lidhur me ndoshta edhe prolongimin e procesit, por dhe me problemet që kemi pasur në vazhdimësi me afatet kohore”, ka theksuar Elshani. 

Mes tjerash, në këtë plan është përcaktuar se nga 23 korriku deri më 28 gusht, votuesit nga jashtë Kosovës do të kenë mundësi që të regjistrohen si të tillë derisa votimi përmes postës për ta do të nisë nga 17 shtatori.

Fushata zgjedhore, sipas planit të KQZ-së, do të nisë më 13 shtator e do të përmbyllet në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor.

E diskutim mes anëtarëve të KQZ-së nxiti shqyrtimi i përcaktimit se cila do të jetë përbërja e komisioneve komunale zgjedhore.

Muharrem Nitaj tha se ka abstenuar kur është vendosur për formulën pasi, sipas tij, pakicat janë të mbipërfaqësuara.

“Ka pasur parti politike që ka pasur një numër relativisht të vogël të votave dhe numri që kjo parti politike përfaqësohet në KKZ është më i madh sesa që e kap logjika ime, prandaj kam abstenuar”, ka thënë Nitaj, anëtar i AAK-së në KQZ.  

Por, me përfaqësimin e partive nga komunitetet joshumicë nuk u pajtua anëtarja e Listës Serbe në KQZ, Gordana Luban Zuviq. Ndaj saj reaguan anëtarët e LDK-së e të VV-së.

“Pak është problem, koleges po i them Gordana se këta nuk kanë marrë fare pjesë në regjistrim të popullsisë... s`keni marrë pjesë, evidencën kah me e marrë”, ka thënë Sami Hamiti (LDK). 

Përfaqësuesi i VV-së, ka thënë se Zuviqi po godet një subjekt tjetër të komunitetit serb. 

“Po e konsideroj të padrejtë qasjen që një komunitet i caktuar, përfaqësuesit politikë të komunitetit të vet dhe kjo për mua është nonsens...”, është shprehur Alban Krasniqi (LVV). 

Me gjithë votën kundër të përfaqësues serbe në KQZ e të abstenimit të Nitajt, KQZ-ja miratoi formulën sipas së cilës do të emërohen mbi 220 përfaqësues të subjekteve politike në KKZ.