Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja me sërë rekomandimesh për ndryshime në Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar konkluzionet dhe rekomandimet për mësimet e nxjerra nga dy proceset zgjedhore të mbajtura në pjesën e dytë të vitit 2025: zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në njoftimin e KQZ-së thuhet se këto rekomandime janë rezultat i një analize gjithëpërfshirëse të sfidave të evidentuara gjatë dy proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe synojnë forcimin e integritetit, transparencës dhe efikasitetit të administrimit zgjedhor. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimet thuhet se përfshijnë masa organizative, teknologjike dhe strukturore, si dhe një paketë të gjerë propozimesh për plotësim-ndryshimin e legjislacionit zgjedhor.

“Fokus i veçantë i rekomandimeve është nevoja për ndërhyrje ligjore në Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe në Ligji për Financimin e Subjekteve Politike”, thuhet në njoftim.

Disa nga rekomandimet e KQZ-së, të cilat gjatë muajit prill do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës në raportin vjetor thuhet se janë: Rishikimi i sistemit zgjedhor me qëllim reduktimin dhe harmonizimin e numrit të votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale; Rishikimi i afateve për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme;  Të hapet rruga për ndryshim për zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga 45 në 60 ditë; Qartësimi i dispozitave ligjore për votimin me asistencë; Ndryshimi i afateve të tërheqjes së dërgesave të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës”. 

Në mesin e rekomandimeve dhe konkluzioneve të miratuara, përfshihet edhe çështja e numërimit digjital të fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve, të cilat do të mund të konsiderohen përmes ndryshimeve të akteve nënligjore të KQZ-së.

“Pas sfidave të evidentuara gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, veçanërisht atyre që ndërlidheshin me rinumërimin dhe zgjatjen e procesit të numërimit, ka vlerësuar të domosdoshëm zbatimin e projektit për numërimin digjital të fletëvotimeve përmes skanimit. Ky projekt do të pilotohet fillimisht në një nivel të kufizuar, me qëllim testimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të tij. Për zbatimin e numërimit digjital, parashikohet që brenda 6 muajve të ndërmerren veprime”, thuhet në njoftim. 

Po ashtu thuhet se do të shqyrtohet mundësia e zbatimit fillimisht si pilot i identifikimit elektronik, për të analizuar ndikimin, sfidat dhe mundësinë e aplikimit të tij në nivel vendi, me qëllim të forcimit të integritetit të zgjedhjeve. “KQZ ka vlerësuar se përdorimi i identifikimit elektronik të votuesve kontribuon në forcimin e sigurisë, integritetit të zgjedhjeve, transparencë dhe statistika në kohë reale mbi daljen në votime”, thuhet në njoftim.