Një banor i fshatit Belinc të Shtimes po pretendon se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ia ka bërë një padrejtësi. Shaip Rrahmani ankohet se ky Komision ia ka shqiptuar një gjobë prej 21 mijë eurosh për gërryerje të dheut në një parcelë afër shtëpisë së tij. Rrahmani thotë se në atë kohë ka qenë i mitur dhe kishte dëshmuar se punimet i kryente dikush tjetër. Për t’ia shqiptuar dënimin KPMM-ja ka pritur derisa Rrahmani e ka arritur moshën madhore.
Shaip Rrahmani nga fshati Belinc i Shtimes ishte vetëm 16 vjeç kur kishin nisur disa punime me ekskavator në një parcelë të shtetit disa metra nga shtëpia e tij.
Të enjten e 28 tetorit të 2010-s, pak pasi ishte kthyer nga shkolla, Rrahmani thotë se në vendin e punimeve kishin ardhur diku 5 makina me inspektorë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Sipas versionit të atëherë 16-vjeçarit, atë e kishin marrë si dëshmitar për t’u treguar se kush po operonte ilegalisht në pronë të shtetit. Por, 3 vjet pas, për këtë rast, KPMM-ja ia kishte shqiptuar një gjobë prej 21 mijë eurosh.
“Kam dal rastësisht me i këqyr. Mua ma kanë dhënë gjobën. Unë kam treguar kush ka qenë personi. Emrin tim e kanë marrë që e kam dhënë deklaratën dhe domethënë mua më ka ardhur gjoba”, ka thënë Rrahmani.
Ndryshe nga ajo që pretendon Rrahmani, në aktvendimin e lëshuar më 2013 për inspektimin e 2010-s, KPMM-ja thotë se Rrahmani është hasur duke operuar ilegalisht në shfrytëzimin e resurseve minerale.
Në këtë dokument, mbiemri i Shaipit diku ishte shkruar Rrahmani e diku Shatmani.
Në vendin e ngjarjes, sipas inspektimit të KPMM-së, ishte gjetur edhe ekskavatori për të cilin Rrahmani thotë se ka qenë i personit i cili ka bërë gërryerjen e dheut.
“Aty që e kanë shkruar për bager, ai nuk ka qenë bageri im. Ka qenë i Astrit Rexhepit, ‘Kobelco’, dhe aty shkruan numri i shasisë dhe ai e din fort mirë dhe ata i kanë marrë numrat e shasisë, Policia dhe Ministria që kanë qenë këtu”, ka thënë ai.
KOHA ka kontaktuar me Astrit Rexhepin, i cili nuk e ka mohuar se ekskavatori i tij kishte gërryer afër shtëpisë së Rrahmanit. Ai thotë se nuk ka kryer punime për të përfituar materialisht, por ka qenë duke e testuar ekskavatorin e sapoblerë.
“Unë jam Astrit Rexhepi, lënda ime është mbyllur në gjykatë, jam i pafajshëm. Shaip Rrahmani ka qenë i mitur, është i pafajshëm. Fajet i ka Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka deklaruar Rexhepi.
Meqë Shaip Rrahmani nuk e kishte larë gjobën, më 2021, rreth 10 vjet pas, KPMM-ja kishte nisur t’ia nxirrte paratë nëpërmjet përmbaruesit. Dhe deri më tani ia ka marrë diku 200 euro.
“Për fat nuk kam pasur kurrgjë në emër timin se krejt kanë pasur të mi marrin me pasuri të paluajtshme e krejt. Edhe veturën që kam pas me e qit në emër tim nuk kam guxuar se kanë mundur me e marrë. Më asgjë s’kam, shkurt e shqip, unë s’po mundem më as punë as kurrgjë, që me e pas një konto me më ec Trusti s’po mundem”, ka thënë Rrahmani.
Se si u gjobit Rrahmani dhe pse u desh t’i shqiptohej gjoba rreth 3 vjet pas inspektimit, KOHA i ka dërguar pyetje Komisionit për Miniera dhe Minerale, por një përgjigje ka munguar që nga e premtja.