BETIMI PËR DREJTËSI

Punëtorë fizikë në letër, shoferë në realitet

Me kontratën e punëtorit fizik punon shofer në Ekoregjionin e Prizrenit

Adem Murati është pranuar si punëtor fizik në ndërmarrjen për pastrim të rajonit të Prizrenit “Ekoregjioni” më 9 prill 2024.

Por, Murati rezulton se detyrat nuk i kryen të punëtorit fizik.

Megjithëse në punë është pranuar si punëtor fizik, mbrëmjen e 13 majit ishte duke  punuar si shofer i kamionit për pastrimin me ujë të rrugëve.

“Gazetarja: Qe sa kohë punoni shofer në “Ekoregjioni”?

Murati: Në Ekoregjion qe një vjet kom hi, në prill kom hi.

Gazetarja: Në prill të vitit të kalum?

Murati: Po.

Gazetarja: Prej atëhershit jeni shofer?

Murati: Po, jom edhe përpara shofer edhe tjera vende kom hi shofer”.

Murati fillimisht tha se ka punuar si shofer që nga fillimi, e më pas kur u ballafaqua me informacionet e faktuara se si është punësuar, tash ndryshon deklaratën duke thënë se punën e ka filluar si punëtor fizik për disa muaj.

E më pas thotë të ketë kaluar si shofer.

“Gazetarja: E këtu ju keni hy me kontratë si shofer a si punëtor fizik?

Murati: Unë kom hy njëherë si punëtor fizik e tani si shofer, se unë C-në e kom si shofer

Gazetarja: Pagesën e merrni si punëtor fizik a si shofër.

Murati: Jo, tash si shofer.

Gazetarja: Qe sa e merr si shofer.

Murati: Qe dy muaj

Gazetarja: A ke punu najherë punëtor fizik në Ekoregjon

Murati: Po

Gazetarja: Sa ke punu?

Murati: Po nja 5 6 muaj.

Gazetarja: 5 6 muaj mandej të kanë qit shofer

Murati: Po”.

Edhe pse Murati thotë të ketë punuar 5 6 muaj si punëtor fizik, “Betimi për Drejtësi” ka arritur të argumentoj informacionet e pranuara se Murati si shumë të tjerë që ishin pranuar si punëtorë fizikë por punonin si shoferë.

Nëse Murati ka punuar për 5 muaj punëtor fizik, atëherë i bie nga 9 prilli deri më 9 shtator 2024.

Por, kjo nuk rezulton sipas faturave të naftës.

Bazuar në dokumentet e naftës të cilat i ka kërkuar “Betimi për Drejtësi” nga muaji 1 gusht 2024 deri më 1 mars 2025, Murati rezulton në listën e shoferëve që kanë mbushur kamionët me naftë në muajin gusht.

Më 1 gusht 2024, në emër të Muratit rezulton një faturë me kamionin 04-197-JH.

Pikërisht me këtë kamion ai u pa edhe mesnatën e këtij 13 maji, pra për pastrimin me ujë të rrugëve.

Ndërsa, në faturat e tjera të dërguara nga “Ekoregjioni” rezulton edhe më 7, 13 21 gusht të vitit të kaluar me kamionin 04-773-DT e më pas më 22 gusht rezulton një mbushje tjetër me 04-719-FR.

Më datë 22 gusht, me po këto targa të kamionit, Murati edhe kishte deponuar mbeturina.

Ky dokument i flet peshimit, i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” në Kompaninë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave, tregon se Murati në ora 11:13 minuta kishte deponuar mbeturina.

Emri i tij figuron edhe tek hapësira ku shkruhet emri i shoferit që deponon mbeturinat.

Mirëpo, Murati pretendon se shofer kaloi vetëm pas muajit shtator.

Por, me punën e shoferit ai thotë se mori pagën e punëtorit fizik deri para dy muajsh, kësisojë duke e dëmtuar buxhetin e ndërmarrjes.

Ndërsa tani ai thotë se punon dhe paguhet si shofer, ani se me kontratë është punëtor fizik.

“Gazetarja: Po kontratën i bie që e ke punëtor fizik a po?

Murati: Po

Gazetarja: Kontratën e ki punëtor fizik po rrogën e merr të shoferit?

Murati: Tash të shoferit, se pa testin s’pranojnë ata, e qat testin unë i kom dhanë krejt dokumentet i kom bo hazër veç testin kom me dhanë edhe për testin kanë mëndu që jom jashtë edhe me të vërtet jashtë jom kanë e s’mundesh me hy qashtu”.

Bazuar në dosjen e punës të Muratit të përcjellur nga Ekoregjioni, rezulton se kontrata e vetme e tij me ndërmarrjen është për punëtor fizik.

Me të ndërmarrja nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje tjetër, për të veshur me përgjegjësit dhe pagesën e shoferit.

Murati bashkë me 10 kolegë të tjerë të cilët ishin punësuar në periudha të ndryshme si punëtorë fizikë por punonin shoferë, ju ishte mundësuar kalimi i rregullt si shofer me kontratë, përmes një konkursi të brendshëm.

Konkursi ishte shpallur më 22 shkurt, përmes së cilit kërkoheshin 10 shoferë.

Në konkurs aplikuan 11 persona.

Por, Murati nuk kishte arritur të merrte pjesë në procesin e intervistimit, pasi siç thotë ai kishte qenë në vizitë jashtë vendit.

Megjithatë, ani se nuk ju nënshtrua procesit të rregullt të paraparë me ligj për punësim, ai sërish thotë se po vazhdon të kryej detyrat e shoferit dhe të paguhet për të.

“Gazetarja: Në konkursin që jon pranu disa në prill rreth 13 veta. Pse s’ke apliku ti atëherë, ke qenë jashtë vendit?

Murati: Po

Gazetarja: Ke qenë jashtë vendit për qata s’ke mujt me apliku.

Murati: Po, kom qenë te djali në Zivcer
Gazetarja: Edhe ske mujt me hy në kuandër të qatij të konkursit që kanë hy të tjerët.

Murati: Punëtor kom hy, masnej kur e kanë pa që jom i aftë, edhe kanë pyt ku ke punu, se pa pyt ku ke punu smundesh me hy me bo dom, kom pas përvojë punë edhe më kanë pranu”, ka thënë Murati.

“Çështja problematike këtu është që punëtorët i janë nënshtruar konkursit dhe kanë nënshkruar kontratën për pozitën punëtorë fizik, ndërsa në kontradiktë me atë konkurs dhe ato kontrata punën e kanë kryer në pozitën e shoferit. Sipas Ligjit të Punës, i punësuari duhet të caktohet në vendin e punës për të cilën ka lidhur kontratën e punës, dhe mund të sistemohet në një vend tjetër të punës vetëm (1) në pajtim me kontratën e punës dhe (2) nëse ai vend i ri i përgjigjet përgatitjes, aftësisë dhe nivelit të njëjtë të pagës”, ka thënë hulumtuesja ligjore e IKD-së, Ariana Rexha.


Rexha: “Ekoregjioni” veproi jashtëligjshëm, çoroditi konceptin e ushtruesit të detyrës për shoferët

Hulumtuesja ligjore e IKD-së, Ariana Rexha thotë se Ekoregjioni ka keqinterpretuar konceptin e ushtruesit të detyrës duke emëruar shoferë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas saj, këto vendime bien ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin e Punës.

Ndryshe nga Adem Murati që qe i përgatitur në momentin e intervistës, nuk ishte edhe Musaj Gashi.

Gashi ishte pranuar punëtor fizik më 9 tetor 2023.

Gashi fillimisht thotë se që nga fillimi ka punuar dhe është paguar si shofer.

“Gazetarja: Qe sa jeni punësu shofer në Ekoregjion?
Gashi: Qe sa kohë jom?
Gazetarja: Po qe sa kohë?
Gashi: Gati thuja dy vite.
Gazetarja: Pra para dy vite jeni punësu në Ekoregjion?
Gashi: Jo gati thuja 2 vite, i ka 17 18 muaj.
Gazetarja: Çka keni punu prej kur jeni punësu?
Gashi: Shofer.
Gazetarja: Shofer. Rrogën e keni marrë të shoferit?
Gashi: Rrogën e kom marrë të shoferit”.

Më pas kur pyetet rreth punës si punëtor fizik, thotë se rreth 6 muaj ka punuar si i tillë, pastaj ka kaluar si shofer.

Mirëpo, Gashi sipas dosjes së punës, rezulton se shofer zyrtarisht ka kaluar përmes një aktvendimi 22 maj 2024.

Ky aktvendim i jep mundësinë atij për ta ushtruar pozitën e shoferit si ushtrues i detyrës.

“Gazetarja: Me letra në bazë të hulumtimit që e kemi bo rezulton që ju keni hy punëtor fizik.
Gashi: Po.
Gazetarja: E pse keni hy si punëtor fizik e mandej keni punu shofer?
Gashi: Po vallai veç muj me të rrejt. A kshtu në intervistë kom hy për shofer.
Gazetarja:  Me letra del që ju keni hy punëtor fizik.
Gashi: Unë kom hy shofer.
Gazetarja: Edhe rrogën e keni marrë të shoferit?
Gashi: Jo në fillim nja 6 7 muj e kom marrë të punëtorit fizik. Masanej kom hi në intervistë përsëri për shofer, edhe e kom marrë rrogën e.
Gazetarja:  Në bazë të listë së punëtorëve para 1 muaji i gjysmë ka dale emri i juaj si shofer.

Gashi: Po, nuk e di sa ka kohë.

Gazetarja: E para kësaj kohë ju keni punu shofer prap?

Gashi: Po.

Gazetarja: Edhe rrogën e keni marrë të shoferit?

Gashi: Po.

Gazetarja: E qysh ka ndodh kjo?

Gashi: Nuk di.

Gazetarja: Kush ju ka thanë me punu shofer?

Gashi: Unë kom hy përmes konkursit kom hy në intervistë.

Gazetarja: Kush ju ka thanë juve me punu shofër?

Gashi: I  plotësojë kushtet e kom kategorinë B C dhe E?

Gazetarja:  Në kohën kur e keni marrë pagën e punëtorit fizik keni punu edhe atëherë shofer?

Gashi: Jo të thash gjashtë muaj jo.

Gazetarja: 6 muaj keni punu punëtor fizik?

Gashi: Po. Për shkak të kushteve që ka pas nevojë Ekoregjioni unë kom kalu në shofer.

Mirëpo, hulumtuesja ligjore e IKD-së, Ariana Rexha, thotë se Ekoregjioni e ka çoroditur plotësisht konceptim e ushtruesit të detyrës.

Sipas Rexhës kjo mënyrë e veprimit nga Ekoregjioni është e kundërligjshme pasi Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se aktvendimet për ushtrues detyre mund të merren vetëm për pozitat menaxheriale.

“Çështja e dytë tejet problematike është mënyra se si është “legjitimuar” juridikisht puna si shoferë që këta punëtorë fizik kanë qenë duke e ushtruar pa asnjë bazë juridike. Fillimisht, Ekoregjioni me Aktvendim i bën U.D. Shofer, e pastaj e hap një konkurs të brendshëm për shofer, ku aplikojnë vetëm këta U.D., dhe të gjithë pranohen.  E para, cështja e përcaktimit të punëtorëve fizik si shofer me Aktvendim është e papranueshme, sepse Ekoregjioni me këtë e ka çoroditur plotësisht konceptin e ushtruesit të detyrës. Referuar Ligjit për Zyrtarët Publikë, ushtrues detyre mund të caktohet vetëm një zyrtar publik dhe vetëm për një pozitë menaxheriale; vendosja e punëtorit fizik në pozitën e ushtruesit të detyrës së shoferit jo vetëm se nuk e plotëson këtë kriter në asnjë mënyrë dhe si rrjedhojë paraqet vendim të kundërligjshëm. Ndërkaq, kur më në fund është hapur konkursi për shofer, është hapur si konkurs i brendshëm, në të cilin konkurs kanë marrë pjesë vetëm punëtorët fizikë dhe të gjithë janë zgjedhë. Sipas Ligjit të Punës, punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës, dhe ai konkurs duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi. Pra, kjo tregon se në rastin konkret, ky konkurs përvec që nuk ka qenë në përputhje me Ligjin e Punës pasi që për pozitën shofer cdokush mund të aplikoj dhe është dashur të hapet konkursi publik, ka qenë edhe konkurs vetëm formal, në kuptimin e asaj që duket se qëllimi ka qenë të përjashtohet cdokush tjetër dhe të zgjedhen vetëm këta punëtorë.

Që nga pranimi Gashit si punëtor fizik më 9 tetor 2023, ndërmarrja “Ekoregjioni” bazuar në ueb faqen e tyre kishte shpallur disa konkurse me dhjetëra vende të lira pune për punëtorë fizikë në Prizren.

Por, asnjë konkurs nuk rezulton për shofer në njësinë e Prizrenit.

Gashi për afër dy vjet e kreu punën e shoferit me kontratë të punëtorit fizik dhe përmes një aktvendimi që e caktonte ushtrues i detyrës së shoferit.

Si shofer me kontratë kaloi vetëm me konkursin e fundit i cili ishte i brendshëm, atë të 22 shkurtit të këtij viti.

“Gazetarja: Pse s’keni apliku ma herët për me kalu shofer me konkurs?
Gashi: Nuk ka pas, kur është hap meniher kom apliku”, ka thënë tash shoferi Musaj Gashi.


Shoferi Gashi thotë se nuk e beson se shefi i njësisë ndikoi në punësimin e tij

Menaxheri i njësisë së ndërmarrjes “Ekoregjioni” për Prizren i cili edhe e ka bërë rekomandimin e Musaj Gashit për ndryshimin e pozitës nga punëtor fizik në shofer është Arbër Gashi.

Arbër Gashi rezulton të jetë kushëri i tash shoferit Musaj Gashi.

I pyetur ai nëse menaxheri i njësisë ka ndikuar në punësimin e tij thotë se nuk e beson.

“Gazetarja: Arbër Gashin menaxherin e njësisë çka e keni?
Gashi: Arbër Gashin e kom kushëri.
Gazetarja: A ka pas ai ndikim në punësimin e juaj?
Gashi: Nuk besoj, nuk besoj, nuk besoj”.

Për këtë “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga Gashi.

Mirëpo, i njëjti nuk është përgjigjur në shkresën elektronike të drejtuar, e as thirrjeve telefonike.

Deklarimet e punëtorëve se kanë kryer detyrat e shoferit por njëri është paguar si shofer e tjetri si punëtor fizik përbën shkelje të Ligjit të Punës.

Zëvendëskryeinspektori i punës thotë se pagesat duhet të kryhen në proporcion me punën e kryer.

Nëse kanë kry detyra të njëjta pozicione prej punëtorit fizik që të dy palët detyrat e shoferit, njoni është pagu e tjetri nuk është pagu kjo është cashtje e trajtimit të pabarabartë të punëtorit në vend të punës”, ka thënë Millaku.

Pa qenë në dijeni për hulumtimin që po zhvillohej ishte edhe Islam Krasniqi.

Edhe ai sikurse Adem Murati, ishte punësuar si punëtor fizik e në formën e njejte kishte kaluar u.d i shoferit.

Ai ishte punësuar si punëtor fizik më 21 nëntor 2022.

Krasniqi, duke mos qenë në dijeni për hulumtimin thotë se që nga fillimi ka punuar shofer.

“Gazetarja: Në Ekoregjion qe sa ke hy në punë?

Krasniqi: Qe tri vjet.

Gazetarja: Çka ke punu para se me kane shofer?

Krasniqi: Shofer.

Gazetarja: Shofer je kanë prej fillimit a?

Krasniqi: Po.

Gazetarja: A je kanë me dokumente shofer prej fillimit?

Krasniqi: Me dokumente, unë punoj qe 20 vjet shofer.

Gazetarja: Jo në Ekoregjon, kontratën e ke pas shofer a punëtor fizik?

Krasniqi: Shofer, shofer.

Gazetarja: Shofer e ke pas. E në konkurs si çka ke apliku.

Krasniqi: Në konkurs?

Gazetarja: Në konkurs si çka ke apliku?

Krasniqi: Shofer”.

Ndërsa, kur vihet në dijeni për formën se si është punësuar, pranon të jetë pranuar si punëtor fizik.

“Gazetarja: Se në dokumente na ka rezultu që ti ke apliku si punëtor fizik, edhe je kanë punëtor fizik me letra.

Krasniqi: Po.

Gazetarja: Tash a je kanë punëtor fizik a shofer?

Krasniqi: Qysh jon dokumentet qashtu.

Gazetarja: Qe po i bjen je kanë punëtor fizik po ke punu si shofer?

Krasniqi: Jo, jo s’kom punu si shofer, kom punu punëtor masanena kanë pas nevoje për shofer.

Gazetarja:  Qe sa ke kalu si shofer?

Krasniqi: Qe një muaj më doket.

Gazetarja: Sa?

Krasniqi: Një muaj e diçka”.

Ai pas tetë muajsh pune, kishte kaluar përmes një aktvendimi të paligjshëm si ushtrues i detyrës së shoferit.

Krasniqi poashtu pranon se më shumë ka punuar shofer, sesa punëtor fizik.

“Krasniqi: Kom punu unë edhe i kom grah spinterit, i kom gra kombit, kom dalë kemi mbledh qësi çka jon mbeturina të mdhaja kauqat.

Gazetarja: A të ka ra ma shumë me punu punëtor fizik a shofer?

Krasniqi: Jo, shofer ma jom.

Gazetarja: Ma shumë shofer a ?

Krasniqi: Po”.


Nuk pranon se punoi shofer, thotë se u punësua punëtor fizik pasi u mërzit nga shëtitjet në Dubai e Turqi

 I informuar mbi hulumtimin e “Betimit për Drejtësi” ishte dhe Lirim Krasiqi.

Krasniqi ishte punësuar si punëtor fizik më 15 korrik 2024.

“Krasniqi: Qysh jom punësu normal, kom hy si qëta kom punu punëtor fizik, kom punu aty, mas atyhit, u qel konkursi për shofer, jom qe 15 vjet shofer.

Gazetarja: Qe sa ke kalu shofer?

Krasniqi: Qetashti. Po po du me thanë asi për qësi sene mos me merr.

Gazetarja:  A ke punu shofer në kohën sa je kanë punëtor fizik.

Krasniqi: Jo, rrallë najhere që u kanë naj pikë e zeze, hekmi kauqat se pom pengojnë, e kom marrë atë kamionin e vogël. Rrrallë ka qellu njëherë a dy herë që kom dalë.

Gazetarja: Rrogën e ke marrë si punëtor fizik a si shofer?

Krasniqi: Ja ja, kur je punëtor fizik qysh ki me marrë shofer?!

Gazetarja: E ke marrë të puëntorit fizik?

Krasniqi: Ja bre tash, tash me ke thirr ti e ka zonë rrugën si qëky qysh e ka zonë rrugën, a e ka zonë rrugën qëky edhe mke thirr në telefon edhe su kanë shoferi u aknë drekë a naj punë. Edhe Lirim a po shkojsh bre me marrë? Edhe kom ardh e kom liru rrugë.

Gazetarja: A të ka ndodh kjo çdo ditë a çdo jave?

Krasniqi: Jaa bre njëherë a dy herë kom dalë krejt”.

Por, e pavërteta e thënë nga Krasniqi argumentohet lehtas.

Bazuar në dokumentet e siguruara vetëm tri javë pasi ai kishte nënshkruar kontratën si punëtor fizik, në muajin gusht 2024 në emër të tij rezultojnë pesë fatura të naftës në detyrë e shoferit.

Më 7 gusht 2024, në emër të tij del një faturë e naftës me kamionin për mbeturina 01-740-FR.

Pas mbledhjes së mbeturinave ai i ka deponuar në Deponinë e Landovicës.

E njëjta situatë është edhe më datë 8 gusht 2024, përveç se kishte mbushur kamionin për mbeturina me naftë, emri i tij rezulton edhe në fletëpeshimin për deponimin e tyre.

Po njësoj Krasniqi vepro edhe me 14 gusht, përveç se e mbushi me naftë kamionin për mbledhjen e mbeturinave 01-736- FR, në kompaninë për menaxhimin e deponive dalin dy fletë peshime.

Edhe me 27 gusht, nga dokumentet e siguruara del një faturë e naftës dhe një fletëpeshim.

E emri i tij, rezulton edhe në muaj në vijim tek lista e shoferëve që kanë mbushur kamionët me naftë, si dhe hedhur mbeturina në deponi.

“Gazetarja: Në fatura të naftës na ka dalë emri yt ma shpesh.

Krasniqi: Emri jem a?

Gazetarja: NË kohën sa ke qenë puëntor fizik.

Krasniqi: Motra jem qe aty të HIB 50 metra i kom grah, kom shku e kom mush naftë.

Gazetarja: Ama nafta është përgjegjësi e shoferit, jo e punëtorit fizik.

Krasniqi: Edhe ata kanë përgjegjësi, edhe ai është përgjegjës i këtij.

Gazetarja: Se unë nuk i kom pa emrat e tyre.

Krasniqi: Edhe ai mundet me qit,

Gazetarja: Po por ai nuk është shofer”.

Tutje, Krasniqi thotë se nuk hyri për të punuar si punëtor fizik në ndërmarrjen publike për pastrim “Ekoregjion” për shkak të të ardhurave financiare, por për të pasur një punë.

Krasniqi thotë se u mërzit nga vizitat në Dubai e Turqi, andaj vendosi të punoj punëtor fizik, për të mbledhur mbeturina e pastruar rrugët e qytetit të Prizrenit.

“Gazetarja: Punëtor fizik ke punu për qef a?
Krasniqi: Po valla qaq që u mërzita, shko Dubai shko Turki shko anej, shko knej.
Gazetarja: E hine puëntor fizik në ekoregjion?
Krasniqi:  S’besojsh.
Gazetarja: E hine punëtor fizik në Ekoregjion?
Krasniqi: Çka me bo.


Përmes një konkursi të brendshëm formal “Ekoregjioni” punësoi 10 shoferë

 Përveç Lirim Krasniqit, Islam Krasniqit e Musaj Gashit, në punë formalisht si shofer në Ekoregjon u pranuan edhe 7 persona të tjerë në konkursin e 22 shkurtit.

Bazuar në dosjet e punësimit rezulton se  kishin hyrë si punëtorë fizikë, më pas përmes aktvendimeve kundërligjshëm kishin kaluar si ushtrues detyrë të shoferit.

Listës i bashkohen edhe:

Erhan Bytyqi,

Blerim Xhabali,

Lulzim Krasniqi,

Bajram Spahiu,

Durim Ramadani,

Fadil Dugurti dhe

Halit Spahija.

Erhan Bytyqi ishte pranuar si punëtor fizik më 19 nëntor 2010. Ushtrues i detyrës së shoferit kaloi më 20 nëntor 2023, e më pas edhe shofer me kontratë në konkursin e 22 shkurtit.

Blerim Xhabali ishte punësuar në gusht të 2023-ës. Si ushtrues i detyrës së shoferit kaloi më 18 mars 2024.

Lulzim Krasniqi ishte punësuar si punëtor fizik më 10 shkurt 2022. Aktvendimi për kalimin ushtrues i detyrës së shoferit ishte marrë për të më 26 prill 2024.

Bajram Spahiu ishte punësuar punëtor fizik më 3 nëntor 2023, dhe aktvendimi si ushtrues i detyrës së shoferit i ishte nënshkruar më 29 prill 2024.

Durim Ramadani ishte punësuar punëtor fizik më 16 qershor 2024. Për Ramadanin nuk kishte aktvendim, dhe kaloi shofer me kontratë përmes konkursit të 22 shkurtit.

Megjithatë, bazuar në faturat e naftës emri i tij rezulton qysh nga data 1 gusht 2024, datë nga e cila ‘Betimi për Drejtësi” i ka kërkuar faturat.

E në këtë datë, Ramadani i bie të mos i ketë kaluar as 2 muaj si punëtor fizik në Njësinë e Ekoregjionit në Dragash.

E njëjta situatë vlen edhe për Halit Spahijen. I punësuar më 15 korrik 2024, kishte kryer detyrat e shoferit me kontratën e punëtorit fizik. Emri i tij rezulton në faturat e naftës nga data 1 gusht, pra menjëherë pas punësimit të tij.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga këta, mirëpo nuk ka arritur.

Kjo situatë sipas zëvendëskryeinspektorit të punës përbën menaxhim të parregullt.

“Dy vite është kohë bukur e gjatë kështu ta them, por nuk po lëshohem në situacionin atje sepse është çështje e inspektorëve por është kohë e gjatë që dikush ta ushtrojë detyrën dy vite panderpre e të mos hapet konkurs, sepse këtu është çështja e menaxhimit, dhe ai menaxhim është i parregullt”.


Kryeshefi i “Ekoregjonit” mohon se punëtorët fizikë punuan shoferë, përkundër argumenteve dhe pohimeve të tyre

Lidhur me këto punësime, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvillojë intervistë me kryeshefin e ndërmarrjes “Ekoregjioni”, Burim Shala.

Mirëpo, i njëjti ashtu sikurse në hulumtimin për kurdisjen e tenderit afër 400 mijë euro për kamionë dhe autofshesë ka refuzuar ballafaqimin, duke kërkuar që çdo pyetje t’i drejtohet me shkrim.

Ndërsa, gjatë tentimit për intervistë me telefon, Shala ka mohuar se të njëjtit kanë punuar si shofer, ani se vetë ata e pranojnë dhe këtë e argumentojnë faturat e naftës dhe fletpeshimet në deponi.

Përkundër kësaj, ai akuzon gazetaren se po flet të pavërteta.

“Shala: Nuk kom mundësi, nuk kom mundësi intervistë, çka të duhet qoje me email.

Gazetarja: A mundeni me më tregu pse nuk keni shpall për dy vjet konkurs për shofer, por vetëm për punëtor fizik, por punëtorët fizik i keni përdorë për shofer?

Shala: Faleminderit shumë a, veç kalo mirë.

Shala: Jo s’është e vërtetë, t’i dërgojë qasjet e dokumentacionit dhe e shofish, a e din që mos fol të pavërteta. Mirë?

Gazetarja: A kanë punu ata shofer?

Shala: Jo.

Gazetarja: Sepse në intervistat që i kemi zhvillu me ta po edhe në dokumentet ma herët që na keni dërgu, rezulton që kanë punu shofer.

Shala: Ata kanë punu punëtor fizik, mas 8 muje, 9 muaj,  6 muaj kemi bo vendim u.d për shofer, kemi hap konkurs të brendshëm jon sistemi si shofer gjithçka ka qenë okej, qasjen e dokumentacionit ke kërku, t’i japin qasje në dokumencion dhe pa merak”.


IKD: Prokuroria të hetojë veprimet e Shalës për keqpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave të punësimit

Mirëpo, në fakt caktimi në një pozitë si ushtrues detyre sipas ligjit bëhet vetëm në pozita menaxheriale.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo mënyrë e veprimit paraqet situatë të kundërligjshme, që mund të tërheqë pas vetes është përgjegjësi penale.

“Për mos-zbatimin e dispozitave të Ligjit të Punës Inspektorati i Punës ka kompetencë të shqiptojë gjobat përkatëse.  Mirëpo në këtë rast kemi të bëjmë me një situatë seriozisht të kundërligjshme. Pra, fillimisht, hapet konkurs për punëtorë fizik përderisa nevojiteshin shoferë. Pastaj këta punëtorë fizik, pa asnjë bazë ligjore, fillojnë të punojnë si shoferë. Më vonë, me një aktvendim, caktohen si ushtrues detyre në pozitën e shoferit – edhe pse ligji e lejon ushtruesin e detyrës vetëm për pozita menaxheriale dhe vetëm për zyrtarë publik. Në fund, hapet një konkurs i brendshëm – që në fakt do të duhej të ishte publik – ku aplikojnë vetëm këta U.D., dhe normalisht, vetëm ata pranohen.  Kjo mënyrë e veprimit kjijon dyshime për përgjegjësi penale tek Kryeshefi i ndërmarrjes Ekoregjioni, si nënshkrues I këtyre vendimeve, dhe eventualisht ndonjë persona tjetër, duke përbërë dyshime për kryerje të veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nga Neni 414 i Kodit Penal, veprës penale cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga Neni 219 I Kodit Penal apo ndonjë vepër tjetër penale. Prandaj, Prokuroria duhet të kryejë hetojë këtë rast në tërësi, për këto dy vepra penale, apo eventualisht edhe për ndonjë vepër tjetër penale dhe të njoftoj publikun mbi mënyrën e trajtimit të këtij rasti “, thotë hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ariana Rexha.

Kryeshefi ekzekutiv i Ekoregjionit Burim Shala, ka refuzuar të ballafaqohet me argumentet e këtyre punësimeve, ashtu siç ka refuzuar edhe në tenderin për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese me urgjencë e që nuk u përdoren thuajse fare.

Megjithatë, me të gjitha provat e paraqitura në këto dy hulumtime, mbetet të shihet nëse Shala do të arrijë t’i shmanget edhe Prokurorisë Speciale.