Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kostoja e projektit të rrugës Prishtinë-Podujevë 38 milionë euro

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në konferencën për media ka thënë se në fillim të javës së ardhshme do të bëhet hapja e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Investimet prej 38 milionë eurosh, sipas tij, do të orientohen jo vetëm për rrugën Lluzhan-Podujevë, por edhe për përfundimin e rrugës nga Lluzhani deri në hyrje të Prishtinës

Kostoja e projektit të rrugës Prishtinë-Podujevë, me ndryshimet e bëra në të do të jetë 38 milionë euro, ka thënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në konferencën për media të mbajtur të premten. Ai ka treguar se në fillim të javës së ardhshme do të bëhet hapja e tenderit dhe jo vetëm për rrugën Lluzhan-Podujevë, por edhe për përfundimin e rrugës nga Lluzhani deri në hyrje të Prishtinës.

“I tërë ky segment rrugor do të jetë pesë lote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë, që do të jetë e ndarë në katër lote dhe loti i pestë - përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, e që përbën segmentin prej 9 kilometrash. Komplet, me realizimin e projektit, del që kostoja e projektit do të jetë gjithsej 38 milionë, ndërsa në parashikimin e buxhetit që e kemi pas ka qenë 22.3 milionë”, ka bërë të ditur Aliu.

Ndryshimet e kostos kanë kërkuar koordinim me Ministrinë e Financave, e cila, sipas Aliut, ka miratuar zotimin e 15.7 milionëve.

“Të gjitha fazat tashmë i kemi të përfunduara dhe që sot ne e dorëzojmë këtë material në zyrën e prokurimit”, ka thënë Aliu.

Punimet, sipas ministrit, pritet të nisin në pranverë nëse në ndërkohë nuk shfaqen probleme prokurimi.

Edhe Aliu e pranon se shumica e projekteve të mëdha infrastrukturore janë vazhdimësi e ish-qeverive Arbëri Aliu e pranon se shumica e projekteve të mëdha infrastrukturore janë vazhdimësi e ish-qeverive

“Menjëherë në gjysmën e vitit që vjen, pra në qershor, ne do të kemi mundësi të bëjmë rishikimin e buxhetit dhe vlerën prej 6 milionësh ta shtojmë konform rrjedhës së punimeve që do të jenë në realizimin e këtij projekti”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka sqaruar se gjatë realizimit të punimeve për kontratat që kanë qenë të nënshkruara më herët për pjesën nga Podujeva deri në Lluzhan ka pasur shumë zvarritje dhe pengesa. Ai ka theksuar se arsyet kryesore të këtyre zvarritjeve kanë qenë kryesisht të lidhura me shpronësimet, por se, sipas tij, nuk kanë munguar edhe gabimet në projekt.

“Asnjëherë në rrugën Prishtinë-Podujevë nuk ka ndodhur asnjë procedurë e shpronësimit dhe janë nënshkruar kontratat pa procedura të shpronësimit. Kjo ka shkaktuar zvarritje e probleme të mëdha. Arsyeja pse ne nuk kemi vazhduar me lotet e reja deri në Prishtinë ka qenë se nuk ka pasur projekt. Projekti ka përfunduar javën e kaluar, e po ashtu edhe elaborati i shpronësimit. Nuk do të fillojmë asnjë procedurë të prokurimit pa filluar procedurat e shpronësimit në mënyrë që të mos kemi probleme gjatë realizimit të punimeve”, ka deklaruar Durmishi.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ishte në konferencë për media bashkë me drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ka cilësuar lajm të mirë për qytetarët e Podujevës sigurimin e mjeteve për këtë projekt.

Edhe Ministria synon ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë më 2024, me buxhet është paraparë për tre vjet Arbëri Ministria synon ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë më 2024, me buxhet është paraparë për tre vjet

“Bashkë me Ministrinë gjatë javës tjetër do të organizojmë takim me qytetarë në Komunën e Podujevës për t’i kuptuar të gjitha detajet që lidhen me këtë projekt”, ka thënë Bulliqi.

Projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë ka nisur gjashtë vjet më parë, por ka dështuar të finalizohet.