Arbëri

Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Bangladeshin

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Kosovës dhe Bangladeshit është lajm i mirë dhe një hap tjetër në drejtim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve. Ne, do të vazhdojmë praktikën e tillë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të shtrijmë prezencën dhe përfaqësimin tonë diplomatik gjithandej nëpër botë.

Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.

Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Bangladeshit në OKB, Ambasadori Masud Bin Momen, në njërën anë dhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija në anën tjetër.

Nëpërmjet kësaj, dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dy-palësh, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.

Të frymëzuar nga parimet e Kartës së OKB-së, të dy shtetet janë zotuar se do të angazhohen në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndihmës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Për qëllime dokumentimi dhe praktike, Marrëveshja është deponuar edhe në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Bangladeshi njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në muajin shkurt të vitit të kaluar. ​