Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova synon thellim partneriteti në siguri e mbrojtje me SHBA-në

Haxhiu

Pas vizitës në Sarajevë, Beograd e Luginë të Preshevës, kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë vizituar Kosovën, ku janë pritur nga përfaqësuesit më të lartë shtetëror. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me SHBA-në në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik. E, nga temat kryesore për të cilat me ta ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Është pritur nga përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, delegacioni bipartiak i të dy kongresistëve amerikanë, Keith Self, kryetar i nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Suhas Subramanyam, anëtar i nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme. Atyre u është shprehur synimi për thellim të partneritetit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Kjo u është shprehur, gjatë pritjes që atyre ua ka bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Në takim, U. d. presidentja Haxhiu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përkitazi me këtë takim. “Ajo theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen amerikane dhe dëshiron ta nderojë këtë miqësi duke qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara si partnere e besueshme për paqe, siguri dhe përparim demokratik”.

Në njoftim është theksuar se Haxhiu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Kosovës, dhe se ka theksuar se për popullin e Kosovës kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka falënderuar kongresmenin Self për mbështetjen e tij ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të natyrshëm të Kosovës mes shteteve demokratike”, thuhet njoftimin e Presidencës. “U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Subramanyam në këtë delegacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik”.

Të dy kongresistët janë pritur edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në njoftimin e Qeverisë janë bërë të ditura temat e diskutimit.

“Nga temat kryesore për të cilat foli kryeministri në detyrë Kurti, ishte mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon. Ai e falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Javën e kaluar, Kurti njoftoi se e kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.

Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore. Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028.

Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Kryeministri në detyrë Kurti, në takimin me dy kongresistët, ka vënë theksin edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme.

“Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për këtë takim.

Para Prishtinës, kongresistët zhvilluan vizitë në Luginën e Preshevës. Në njoftim të Qeverisë është theksuar se, në këtë kontekst, kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se “duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Keith Self dhe Suhas Subramanyam u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve, një ditë më parë.

Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicës, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.

“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, ka thënë kongresisti demokrat.

Të mërkurën, të dy kongresistët janë pritur edhe nga ministri në detyrë i punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Në takim ka marrë pjesë edhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Konjufca ka bërë të ditur se në takim ka shprehur mirënjohjen për rolin historik dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës. 

“Për popullin tonë, partneriteti me SHBA-në nuk është thjesht diplomatik apo politik, por është një lidhje e ndërtuar në momentet më të vështira dhe më vendimtare për lirinë, sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Konjufca. “Në veçanti, falënderova kongresmenin Self, një mik i dëshmuar i Kosovës, për angazhimin e tij personal dhe të vazhdueshëm ndaj vendit tonë, përfshirë iniciativat në Kongresin amerikan që mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe adresimin institucional të çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Shpreha gjithashtu gatishmërinë time për ta thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim”.

Konjufca ka theksuar se për Kosovën, SHBA-ja nuk është vetëm aleati kryesor strategjik i Kosovës, por një partner i pazëvendësueshëm historik, me të cilin shteti ndan vlera, besim dhe lidhje të veçantë, për të cilën ka thënë se do të qëndrojë e fortë brez pas brezi.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka mbërritur të martën në Prishtinë, si pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor. Kongresistët e vizituan të martën pasdite kampin Bondsteel, që është baza më të madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

“Delegacioni kaloi pasditen në kampin Bondsteel duke u takuar me anëtarët e shërbimit të përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan”, ka njoftuar Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Më vonë në mbrëmje, Self është takuar me ish-presidenten Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, të cilët do të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Në takimin tonë të përbashkët e falënderuam për qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit tonë në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Diskutuam për bashkëpunimin tonë të ngushtë me administratën Trump dhe mundësitë e jashtëzakonshme për thellimin e këtij partneriteti”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Vizita e tyre në Kosovë zhvillohet pas atyre në Sarajevë dhe Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës.