Siguria e Evropës dhe Ukraina do të jenë në fokus të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Evropian, i cili mbahet të premten në Tiranë. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në një dokument të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë duke mos ia paragjykuar statusin, por në atë të Komunitetit, Kosovës nuk i është vendosur asterisku
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë të premten në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet - bashkëpunim - veprim i përbashkët”. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
“Sikurse në samitet paraprake, presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në samitin e radhës së EPC-së, që mbahet të premten në Tiranë”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Mbështetur në agjendën që ka publikuar Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë, sipas së cilës nuk paragjykohen qëndrimet mbi statusin dhe ai është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Mendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Por në dokumentin e publikuar nga Komuniteti Politik Evropian, Kosova paraqitet pa asterisk.
47 udhëheqës shtetesh dhe qeverish dhe të institucioneve të BE-së janë të ftuar të marrin pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po ashtu janë ftuar.
Bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Samiti do të përfshijë seanca plenare hapëse dhe mbyllëse, me tryeza tematike paralele dhe takime dypalëshe.
Në fokus të diskutimeve do të jetë Ukrainë dhe siguria në Evropë.
“Udhëheqësit pritet të diskutojnë për sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, si dhe gatishmërinë e aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme. Do të zhvillohet dialog mbi përmirësimin e konkurrueshmërisë së kontinentit përmes investimeve, inovacionit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë në disa fusha. Do të trajtohen gjithashtu sfidat e lëvizjes, duke përfshirë migrimin, lëvizjen e fuqisë punëtore dhe lëvizjen e të rinjve”, shkruan në agjendë.
Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.
Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.
Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE.
Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian.