Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, i solli hitet e saj në majën e një mali në Austri ditë më parë, në një koncert për të shënuar hapjen e sezonit të skijimit në Ischgl. Duke sfiduar të ftohtin, këngëtarja bëri që turma të elektrizohej dhe ta shijonte atmosferën e krijuar me këngë si, “I Will Never Let You Down” dhe “Ask & You Shall Receive”.
Sipas yllit të muzikës pop, çelësi për të qëndruar ngrohtë në skenë ishte “koreografia e pasur e vallëzimit”.
“Mendoj se ka të bëjë me lëvizjen e trupit. Unë kam shumë koreografi në performancat e mia, gjithashtu adrenalina është një faktor i madh që të ndihmon. Në fakt nuk kam ndonjë kod të veçantë që e ndjeki në raste të tilla, por e di që thjesht duhet të vazhdosh të lëvizësh”, ka thënë artistja në një intervistë për “Associated Press”.
Sa i përket qëndrimit e shëndetshme gjatë turneve, Ora thotë se i përmbahet disa rregullave bazë.
“Thjesht lutesh. Mendoj se qëndron në formë duke shpresuar që të mos marrësh ndonjë sëmundje kur udhëton. Gjumi i mirë, konsumimi i vazhdueshëm i ujit… është shumë e mërzitshme, por shumë e rëndësishme, duhet të jetojmë si atletë, e kupton çfarë dua të them? Nuk është shaka ajo që bëjmë, udhëtojmë shumë. Bëjmë intervista para koncertit, pastaj mbajmë performanca 2-orëshe, shkojmë të flemë, zgjohemi pas rreth 3 orësh për të kapur një fluturim e për të bërë një tjetër shou, e dini, është një cikël që nuk ndalet dhe të shkakton goxha lodhje. Kjo rutinë i ka bekimet e veta, por ka edhe shumë gjëra rraskapitëse që ne si artistë duhet t’i bëjmë”, ka thënë ajo.
Ora tutje ka treguar se nuk hezitoi fare kur iu kërkua të performonte në këtë koncert në majë të malit.
“Përbërja e artistëve në këtë skenë ndër vite ka qenë fenomenale, ndaj jam e emocionuar të jem pjesë e kësaj historie. Dhe është bukur këtu, kështu që pse të mos doja të vija, është kaq këndshëm të jesh në këtë vend”, ka thënë ajo.
Ora ka treguar gjithashtu se e vlerëson natyrën dhe kudo qw udhwton ka dwshirw tw njihet me kulturwn e vendit.
“Unë udhëtoj shumë dhe gjithmonë e kam përparësi zbulimin e vendit ku ndodhem dhe shkuarjen në restorantet më të mira dhe përpiqem ta zbuloj kulturën e atij vendi. Kështu që doja shumë të shkoja dhe të humbisja në malet e Austrisë. Është një ndjenjë lirie dhe të qenit pjesë e natyrës të bën të kuptosh se je një pjesë e vogël e një gjëje kaq të madhe, kështu që po, kalova shumë mirë”, ka shtuar tutje aktorja.
Këngëtarja ka kohë që nuk ka realizuar një turne dhe në këto vitet e fundit e ka ndjekur pasionin e saj tjetër, aktrimin.
Aktualisht po e shijon suksesin e këngës “All Natural”, të cilën e solli edhe në një version në gjuhën shqipe, në bashkëpunim me Yll Limanin.